Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se pret që Kuvendi i Kosovës ta miratojë ligjin mbi amnistinë, sepse ai është një parakusht për zbatimin e shumë pikave të tjera të marrëveshjes së Brukselit.

“Ligji mbi amnistinë ka qenë pjesë përbërëse e Marrëveshjes së Brukselit dhe për ne është befasi e pakëndshme fakti që ai ligj nuk është miratuar. Kjo është diçka që e ka propozuar Thaçi në takimin e parë dhe mbi këtë me siguri do të bisedojmë të hënën në Bruksel”, ka thënë Daçiç.

Duke folur për mediat serbe, ai ka vlerësuar se, kjo është një situatë që mund të shkaktojë probleme në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, sepse shumë pika pasojnë miratimin e ligjit mbi amnistinë.

Kryeministri serb ka theksuar se nuk ka zbatim të marrëveshjes nëse serbët nuk marrin pjesë në të dhe ata, sipas tij, nuk mund të marrin pjesë në këtë proces pa miratimin e ligjit mbi amnistinë.

“Nuk e di përse ligji nuk ka kaluar në Prishtinë. Ligjet mbi amnistinë kanë qenë hap i zakonshëm në të gjitha shoqëritë në rajon ku kanë ekzistuar konflikte luftarake dhe Serbia ka miratuar madje dy ligje të tilla”, ka thënë Daçiç.

Sipas tij, shqiptarët kanë nisur të frikësohen sepse serbët po bëhen faktor në “Kosovë e Metohi”, pasi deri më tani kanë qenë vetëm objekt vrasjesh dhe dëbimesh, me Serbinë që nuk ka mundur t’i mbrojë.

Daçiç u ka dërguar serbëve në veri të Kosovës mesazhin se, nëse i duan të mirën vetes duhet që procesin e normalizimit të raporteve ta menaxhojnë vetë dhe jo t’u imponohet nga jashtë.

Top Channel