Zhvarrosen eshtrat e fëmijëve të Mandelës

04/07/2013 01:00

Eshtrat e 3 fëmijëve të Nelson Mandelës janë nxjerrë nga prona, që i përkiste nipit të tij, Mandla Mandela, bën të ditur policia. Ato janë marrë nga Mvezo, provincë e kepit lindor të Afrikës së Jugut, e janë çuar në një sallon funeralesh në Mthatha.

Ky veprim vjen vetëm pak orë pasi një gjykatë vendosi që eshtrat të zhvendoseshin për rivarrosje në varrezat e familjes. Mandla i ndryshoi vendndodhjen eshtrave në 2011-n, teksa akuzohet se e ka kryer pa miratimin e familjes.

Gjyshi i tij 94-vjeçar mbetet ende në gjendje kritike për jetën në një spital, për shkak se vuan nga një infeksion periodik në mushkëri. Dokumentat e paraqitura në gjykatë javën e kaluar zbulojnë se ish-presidenti Mandela mbahet artificialisht në jetë, lajm i dhënë nga gazetat “Mail” dhe “Guardian” të Afrikës së Jugut.

“Shëndeti i Nelson Mandelës është në rrezik. Një akt noterial është lëshuar nga mjekët, ku thuhet se ai po mbahet me frymëmarrje artificiale”, citohet dokumenti i lëshuar nga familja Mandela, të enjten e kaluar, nga gazeta.

Presidenti Jacob Zuma tha të hënën se kushtet e Mandelës mbeten ende kritike, por janë stabilizuar disi, teksa ka nxitur afrikano-jugorët të planifikojnë 95-vjetorin e tij më 18 korrik.

Top Channel