Kreu i Partisë Socialiste dhe Kryeministri i ardhshëm i vendit, Edi Rama
ka ngjitur shkallët e Presidencës për t’u takuar me presidentin e
Republikës, Bujar Nishani.

Ky ishte takimi i tyre i parë që nga koha kur Bujar Nishani u zgjodh kreu i shtetit dhe që kur koalicioni i majtë fitoi zgjedhjet e 23 Qershorit. Mësohet se ky takim që ka zgjatur rreth 45 minuta është kërkuar nga zoti Rama.

Pavarsisht interesit të madh të medias, Rama nuk është prononcuar pas takimit, por nëpërmjet një postimi në Twitter ai thotë se: “Me Presidentin e Republikes per tematiken e bashkepunimit institucional e te tranzicionit te pushtetit pa probleme te reja. Takim pozitiv”.

Ndërsa në njoftimin e presidencës thuhet: “Presidenti Nishani e uroi zotin Rama për fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit, si edhe për suksese në zbatimin praktik të programit politik, në të mire të qytetarëve të vendit dhe të ardhmes evropiane të Shqipërisë. Presidenti Nishani dhe kryesocialisti Rama shkëmbyen mendime per një tranzicion të butë të pushteteve dhe për një bashkëpunim të frytshëm institucional, në interes të forcimit të demokracisë dhe funksionimit të shtetit ligjor”.

Zyra e Shtypit e Presidencës nuk ka lejuar mediat për të filmuar momentet kur Rama ka hyrë në zyrën e Nishanit kësaj here si kryeministër i pas 2 shtatorit, kur pritet të mblidhet Parlamenti. Jashtë derës së Presidencës është lënë edhe fotografja e Ramës Jutta Benzenberg, e cila kishte ardhur për të fotografuar momentin e shtrëngimit të duarve në Presidencë mes Nishanit dhe Ramës.

Rama me kryeprokurorin Llalla: Takim pozitiv

Kryeministri i ardhshëm Edi Rama, është takuar pasdite me Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla.

Gjata takimit mësohet se Rama me Llalën kanë diskutuar me kryesisht mbi bashkëpunimin mes institucioneve.

Ndërkaq, pas takimit që ka zgjatur rreth 60 minuta, Rama në “Tëitter” ka komentuar: “Me Prokurorin e Pergjithshem biseduam per tematiken e bashkepunimit institucional dhe influencen e krimit mbi vendin. Takim pozitiv”.

Top Channel