Portugalia në krizë, zgjedhje të parakohshme?

04/07/2013 15:25

Kryeministri i Portugalisë përgatitet për një ditë të vështirë bisedimesh me anëtarët e tjerë të koalicionit, pas dorëheqjes së dy ministrave që kanë vendosur në krizë qeverinë.

Pedro Passos Coelho është i detyruar që të bindë partnerët konservatorë të koalicionit që të mbeten në qeveri, në mënyrë që të shmangë krizën politike dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, në një moment vendimtar për vendin e goditur rëndë nga kriza financiare.

Aktualisht, Lisbona zyrtare është nën një presion të madh ndërkombëtar, për të zbatuar planin e kursimeve për të cilat ka rënë dakord më parë me Bashkimin Europian.

Kriza u shkaktua pasi ministri i Financave, më parë gjatë javës tha se vendi do ta ketë të vështirë të zbatojë shkurtimet e nevojshme për një këst të tretë kredie disa miliardë euroshe, ndërsa kërkoi prej Brukselit rishikimin e planit të shpëtimit, duke thënë se masat aktuale nuk po japin efekt.

Presidenti Anibal Cavaco Silva do të takohet me kryeministrin Coelho dhe liderat e tjerë kryesorë politikë të vendit gjatë të enjtes, në një tentativë për të ndërmjetësuar një zgjidhje të krizës aktuale politike.

Përballë krizës aktuale politike dhe ekonomike, partitë e majta opozitare kërkojnë zgjedhje të parakohshme, të cilat nëse do të realizohen, në bazë të sondazheve do të sjellin një humbje të thellë të mazhorancës aktuale.

Nëse zgjedhjet do të mbahen, vetë plani i shpëtimit që Lisbona po ndjek prej më shumë se një viti do të vihej në diskutim.

Portugalia është një prej vendeve më të goditura nga kriza e Eurozonës, ndërsa prej dy vitesh njeh vetëm recesion, ndërsa ekonomia pritet të tkurret edhe me 2,3% më shumë gjatë këtij viti.

Top Channel