Koretë, Jugu fton Veriun për dialog

04/07/2013 00:00

Korea e Jugut ka bërë një ftesë për bisedime të nivelin të lartë me
Veriun për rihapjen e zonës së përbashkët industriale, Kaesong.

Seuli e bëri propozimin një ditë pasi Peniani deklaroi se autoritetet e Koresë së Jugut mund të vizitojnë kompleksin e mbyllur për të inspektuar dhe mirëmbajtur pajisjet.

Puna në kompleksin e fabrikave, që ishte një simbol i rrallë i bashkëpunimit Veri-Jug, u ndërpre në muajin prill për shkak të tensioneve rajonale. Përpjekjet e muajit të kaluar për zhvillimin e bisedimeve dështuan për çështje proçedurash.

“Qeveria do që bisedimet të mbahen në fshatin Panmunxhom. Qëndrimi i Seulit mbetet konsistent dhe u bën thirrje autoriteteve që të zgjidhim problemin përmes dialogut”, deklaroi Ministria e Unifikimit e Koresë së Jugut.

Në deklaratë thuhet se oferta për bisedime u bë përmes linjës Veri-Jug që ishte ndërprerë nga Peniani në qershor, por që tani është rivendosur.

Korea e Veriut nuk i është përgjigjur ende ofertës, që sugjeron nisjen e bisedimeve ditën e shtunë. Para se të ndërpriteshin operacionet, në kompleksin Kaesong ishin rreth 120 biznese koreano-jugore, që i siguronin Veriut burime jetike.

Ditën e mërkurë, Peniani zyrtar deklaroi se do të lejojë kompanitë jugore që të hyjnë në kompleks, që ndodhet vetëtm pak brenda territorit verior, për të mbrojtur pajisjet nga dëmet e shkaktuara nga sezoni me shi.

Top Channel