Egjipt, betohet presidenti i përkohshëm

04/07/2013 00:00

Kreu i Gjykatës Kushtetuese, Adly Mahmud Mansur u betua si President i Egjiptit, një ditë pasi ushtria rrëzoi nga pushteti Mohamed Morsin, i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpie.

Normal
0

false
false
false

MicrosoftInternetExplorer4

Mansur tha se “e vetmja mënyrë për të shkuar përpara janë zgjedhjet e reja, por pa dhënë ndonjë datë se kur mund të zhvillohen”. Ai u betua se do të ruajë sistemin e Republikës, do të respektojë kushtetutën dhe ligjin, si dhe do të mbrojë interesat e popullit.

Mansur u zotua gjithashtu se do të ruajë shpirtin e revolucionit, që rrëzoi nga pushteti Hosni Mubarakun në vitin 2011, duke i dhënë fund kështu idesë së idhulltarisë ndaj liderit. Mansur i zgjati Vllazërisë Muslimane një kurorë degësh ulliri, duke thënë se janë pjesë e popullit dhe janë ftuar të marrin pjesë në ndërtimin e vendit.

Presidenti i ri i Egjiptit vlerësoi gjithashtu edhe ushtrinë, duke e cilësuar si “ndërgjegjen e kombit dhe garantuesin e sigurisë së vendit”. Projekt/dokumenti i Ushtrisë për epokën e post-Morsit parashikon: pezullimin e Kushtetutës, qeveri teknike-civile, përgatitjen e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, hartimin e kartës së nderit, e cila duhet të ndiqet nga media kombëtare.

Reagime të përmbajtura erdhën nga vendet fqinje. Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe mirëpriten ndryshimet në lidershipin e Egjiptit, ndërsa zv/kryeministri i Turqisë, Bekir Bozdag, tha se “ky nuk ishte rezultat i vullnetit të popullit”.

***

Presidenti i rrëzuar Morsi ndodhet nën arrest shtëpiak, siç janë edhe
shumica e ekipit presidencial, u raportua më herët nga një mesazh në Twitter i
zëdhënësit të Vllazërisë Muslimane, Gehad El-Haddad.

“Morsi është arrestuar nga garda presidenciale në selinë e
tyre dhe po mbahet larg çdo kontakti me botën”, shprehet El-Haddad për CNN.
“Ata kanë ndërprerë çdo akses të mundshëm të tij me të tjerët, të gjitha
telefonatat e tij. Asnjë nuk mund ta takojë atë”, konfirmoi zëdhënësi.

Ushtria e Egjiptit raportohet se po përpiqet të mbledhë masivisht anëtarët e Vëllazërisë Muslimane, lëvizjes islamike që ndihmoi Morsi-n të vinte në pushtet 1 vit më parë. El-Haddad konfirmoi vetëm arrestimet e kreut të partisë Liri dhe Drejtësi dhe zëvendësit të tij, por pranoi se numri i “të përndjekurve” është shumë i madh.

Urdhër arreste janë lëshuar për 300 anëtarët e Vëllazërisë Muslimane, teksa një operacion për arrestimin e tyre nisi të zhvillohej që në orët e para pas rënies së Morsi-t nga pushteti, bëri të ditur Al-Ahram gjatë orëve të para të së enjtes, duke cituar burime të forcave të sigurisë, por të paidentifikuar.

Forcat e sigurisë egjiptiane kanë arrestuar gjithashtu liderin e partisë politike të Vëllazërisë Muslimane, Saad el-Katatni, si dhe zëvendësin e tij, Radhad Al-Bayoumi, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve në Egjipt, MENA, gjatë orëve të vona të së mërkurës, sërish bazuar në burime ushtarake.

“Al Jazeera” ka ofruar detaje të mëtejshme në lidhje me sulmin e raportuar ndaj stacionit të tyre në Egjipt. Sipas tyre, shërbimi i tyre direkt mbi ngjarjet në Egjipt u ndërpre gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë.

“Forcat e sigurisë hynë furishëm në ndërtesë dhe arrestuan prezantuesin, të ftuarit dhe producentët”, thuhej në një deklaratë të “Al Jazeera”-s përmes uebsajtit të tyre. Më herët, CNN raportoi nga Kajro se të paktën 3 stacione televizive pro-Vëllazërisë Muslimane në Egjipt kishin ndërprerë aktivitetin dhe ishin mbyllur.

Ndërkaq, në orët e para të mesnatës në Kajro, turmat pro-Morsi dhe anti-Morsi vazhdonin të endeshin rrugëve.
Të paktën 8 persona janë vrarë dhe 343 të tjerë janë plagosur në përleshjet anembanë Egjiptit gjatë së mërkurës, ditën kur ushtria egjiptiane bëri të ditur rrëzimin e Mohamed Morsi-t nga posti i presidentit.

Obama për Ushtrinë egjiptiane: Riktheni sundimin civil demokratik

Ndërkohë, presidenti amerikan Barack Obama, në deklaratën e tij të parë publike mbi “grushtin e shtetit” ndaj Morsi-t, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë “thellësisht të shqetësuara nga vendimi i forcave të armatosura egjiptiane, për të rrëzuar presidentin Morsi dhe për të pezulluar Kushtetutën e Egjiptit”, si dhe faktin që “ai u ka kërkuar departamenteve dhe agjencive përkatëse, për të rishikuar mundësinë e implikimeve, sipas ligjeve amerikane, për ndihmë ndaj qeverisë së Egjiptit”.

Obama i bëri thirrje ushtrisë egjiptiane “të lëvizë me shpejtësi dhe përgjegjësi, për rikthimin e autoritetit të plotë ndaj një qeverie civile të zgjedhur në rrugë demokratike, sa më shpejt të jetë e mundur, përmes një procesi gjithpërfshirës dhe transparent, dhe të shmangë arrestimin arbitrar të presidentit Morsi dhe mbështetësve të tij”.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka reaguar përmes një deklarate, ku bën thirrje për qetësi, shmangie të dhunës, dialog dhe përmbajtje në Egjipt, siç raporton Reuters. Sekretari i OKB-së shton mes të tjerash se ndërhyrja ushtarake në çështjet politike është gjithmonë shkak për shqetësime, si dhe nxit palët që të rikthejnë qeverinë civile sa më shpejt të jetë e mundur.

Top Channel