237-vjetori i Shteteve të Bashkuara

04/07/2013 23:00

Dita e Pavarësisë, që festohet çdo 4 korrik në Shtetet e Bashkuara, nuk do të kishte qenë e plotë pa Zonjën e Lirisë. Statuja, 46 metra e lartë, u mbyll për publikun tetorin e kaluar, pas uraganit “Sandy”, që goditi Nju Jorkun.

Megjithëse monumenti 127-vjeçar nuk u dëmtua, ishulli i vogël rreth tij pësoi dëme të shumta. Shumë amerikanë e përshkruan rihapjen e tij, si një rilindje për qytetin dhe vendin.

Ky 4 korrik shënon 237-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga sundimi britanik. Kudo dominojnë ngjyrat e flamurit amerikan dhe amerikanët e festojnë me parada, piknikë, fishekzjarre, ndeshje sportive apo koncerte.

Presidenti amerikan, Barack Obama, përmes një mesazhi në radio, u kërkoi amerikanëve të përmbushin fjalët e shkruara në Deklaratën e Pavarësisë.

“Brezat e amerikanëve e shndërruan vendin në këtë që është sot. Fermerët, mësuesit, inxhinierët e punëtorët, sipërmarrësit e udhëheqësit e zgjedhur, njerëzit nga të gjitha shtigjet e jetës, nga të gjitha pjesët e botës, të gjithë duke ecur në të njëjtin drejtim. Dhe ne tani duhet ta bëjmë tonën detyrën e tyre; të përmbushim fjalët e Deklaratës së Pavarësisë dhe të sigurojmë lirinë dhe mundësitë për fëmijët tanë dhe brezat që do të vijnë”, u shpreh Obama.

Obama falënderoi ushtarakët për rolin e tyre në mbrojtje të SHBA-ve.

Në Boston zhvillohet grumbullimi më i madh publik, që prej sulmit të maratonës më 15 prill. Ndërsa SHBA feston 237-vjetorin e Pavarësisë, mijëra njerëz bënë betimin si shtetas të rinj amerikanë. Njëra prej ceremonive të betimit u zhvillua afër Shtëpisë së Bardhë.

E hartuar nga Thomas Jefferson, në qershor 1776, Deklarata e Pavarësisë është simboli më i lartë i lirisë së Shteteve të Bashkuara. Kongresi kontinental e miratoi dokumentin zyrtarisht disa javë më pas, më 4 korrik.

Top Channel