Udhëtimi i Obamës në Afrikë

03/07/2013 00:00

Pas udhëtimit 1-javor në Afrikë, Barak Obama u kthye në Uashington me bindjen se afrikanët janë në gjendje të shpalosin një epokë të re prosperiteti.

Presidenti amerikan përfundoi vizitën e tij të martën në Tanzani, ku foli në një central dikur të braktisur të energjisë që rifilloi nga puna nëpërmjet një përpjekjeje të përbashkët të amerikanëve dhe autoriteteve vendase. Obama shpalli programin e tij të ri prej 7 miliardë dollarësh për të shtuar numrin e afrikanëve që kanë qasje tek energjia elektrike, me synimin për të forcuar ekonominë e kontinentit.

Në marrëdhëniet dypalëshe ai dëshiron një ndryshim, një model të ri të bashkëpunimit me Afrikën, larg ndihmës tradicionale të zhvillimit, drejt një partneriteti me pikërëndesë ekonomike. Ekonomia dhe tregtia qenë në qendër të këtij udhëtimi, ndaj presidentin e shoqëruan rreth 500 biznesmenë. “Synimi duhet të jetë që Afrika ta ndërtojë veten e këtë ta bëjë për të mirën e afrikanëve. Detyra jonë këtu është që të jemi një partner në këtë proces”, tha Obama, i cili e lavdëroi Tanzaninë si njërën prej partnereve më të mira.

Por, euforia fillestare e afrikanëve për Obamën tani ia ka lënë vendin kthimit në realitet. Angazhimi i tij në Afrikë ishte në të vërtetë më i pakët se ai i paraardhësve. Bill Klinton nënshkroi Marrëveshjen e Tregtisë AGOA, me anë të së cilës një pjesë e madhe e mallrave nga Afrika mund të eksportohen me kushte preference në SHBA.

George Bush i riu pati si surprizë gjatë kohës në post një program prej 15 miliardë dollarësh kundër AIDS-it. Ndërsa Obama, presidenti i parë afro-amerikan i Shteteve të Bashkuara, nuk do të ketë programe të këtyre përmasave. Gjithsesi, ai e shpalli një inisiativë, këtë të investimit të 7 miliardë dollarëve, në pesë vitet e ardhshme për të dyfishuar mundësinë e shfrytëzimit të energjisë elektrike në Afrikën e Subsaharasë.

Top Channel