Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, KIPRED publikoi një raport sipas të cilit, autostrada Prishtinë-Vërmicë nuk ka ndikuar aspak në rritjen e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Nëse shikohet eksporti i përgjithshëm tregtar nga Kosova në Shqipëri, thuhet në raportin e KIPRED, të titullar “Kosova në kontekst rajonal – Marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare”, nuk duket se ka ndonjë rritje të theksuar për shkak të autostradës, por autostrada po shërben si rrugë alternative për eksportin e Kosovës dhe të vendeve të tjera përmes Kosovës në Shqipëri.

“Pra, autostrada nuk ka sjellë ndonjë rritje të eksportit të Kosovës drejt Shqipërisë, ajo veç se e ka zëvendësuar Maqedoninë dhe Malin e Zi si vende tranzit që ishin për eksportin e Kosovës dhe të vendeve të tjera drejt Shqipërisë dhe përtej fqinjëve të saj”, thuhet në raport.

Brenda periudhës 5-vjeçare, pika më e ngarkuar ishte ajo e Hanit të Elezit me Maqedoninë, nëpërmjet së cilës qarkulluan 35 për qind të shkëmbimit të përgjithshëm tregtar të Kosovës, apo në vlerë prej më shumë se 4.3 miliardë euro brenda këtyre viteve.

Dy javë më parë, deputetët në komisionin parlamentar për zhvillim ekonomik kërkuan nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ndryshme substanciale ligjore dhe më shumë kontroll ndaj importuesve në kuadër të ligjit përkatës. Ligji për masat mbrojtëse në import ka hyrë në fuqi në vitin 2012. Për herë të parë ai ishte aplikuar qershorin e kaluar.

Një vit më parë Ministria e Tregtisë mori vendimin për vendosjen e masës tarifore prej 35 përqind për të gjithë importuesit e çimentos në Kosovë, me arsyetimin se nga importi i këtij produkti është dëmtuar prodhimi vendas.

E pyetur nga Top Channel nëse do të ketë masa të reja këtë vit, zëdhënësja e këtij dikasteri, Arta Istrefi tha se nuk ka asnjë plan për një vendim të tillë dhe se do të lajmerojnë në kohë nëse do të ketë ndonjë zhvillim të ri.

Top Channel