Spanja “liron” presidentin bolivian

03/07/2013 16:00

Spanja i hapi hapësirën e saj ajrore avionit të presidentit bolivian, Evo Morales, të bllokuar në vjenë pasi një sërë vendesh refuzuan t’i jepnin të drejtën e fluturimit. Shkak i gjestit ekstrem u bë fakti që autoritetet mendonin se në bord ndodhej Edward Snowden.

Zyrtarët austriakë njoftuan më vonë se avioni ishte kontrolluar imtësisht dhe ish-kontraktori i CIA-s, të cilin Shtetet e Bashkuara e kërkojnë me çdo kusht, nuk ishte aty. E tërbuar nga trajtimi që iu bë presidentit të saj, Bolivia kërkoi mbajtjen e një takimi urgjent të liderëve të Amerikës së Jugut.

Raportet e fundit tregojnë se Snowden ka kërkuar azil polik në këtë vend dhe disa shtete të tjera, me shpresën se do të arrijë ta shmangë ekstradimin në Amerikë, ku e pret gjykimi për spiunazh.

Rasti i ish-punonjësit të shërbimit sekret amerikan ka nisur në këtë mënyrë të shkaktojë përplasje diplomatike. Marrëdhëniet mes Bolivisë dhe vendeve perëndimore janë acaruar dhe ministri i Jashtëm, David Choquehuanca nuk e kupton si mundi të ndodhë një gjë e tillë.

Në konferencën për shtyp të thirrur me urgjencë në La Paz, ai u shpreh i indinjuar: “Nuk e dimë kush e ka përhapur këtë gënjeshtër të madhe”, tha ai.

Pas zërave të pakonfirmuar se Snowden ishte në avionin e presidentit bolivian, Franca, Italia dhe Portugalia i mbyllën menjëherë hapësirat e tyre ajrore.

Avioni i Moralesit u detyrua të ulej në Vjenë dhe vetëm disa orë më vonë ai arriti të vazhdojë udhëtimin për në vendin e tij. Dyshimi nuk ishte megjithatë krejt i pabazuar. Morales ishte nisur nga Moska, pikërisht aty ku po qëndron i fshehur në aeroport njeriu që bëri publik programin e fshehtë amerikan të përgjimeve.

Eksperti i informatikës dërgoi kërkesa për azil në mbi 20 vende, por shumica e kanë refuzuar. Ndërkohë, babai i 30-vjeçarit, Lon Snowden i shkroi një letër të hapur të birit, në të cilën e quan “patriot” dhe e inkurajon të vazhdojë punën e tij.

Top Channel