Belgjikë, abdikon Mbreti Albert II

03/07/2013 23:50

Në një shfaqje televizive, monarku 79-vjeçar ka bërë të ditur se do të abdikojë në favor të djalit të tij pasardhës të kurorës mbretërore, Princit Philippe, 53 vjeç, më 21 korrik, Ditën Kombëtare të Belgjikës.

Ai bëri të ditur se shëndeti i tij nuk është më mjaftueshëm i mirë për të përmbushur detyrat e tij dhe se do të tërhiqet pas pothuajse 20 vjetësh në fron. Mbreti Albert është betuar si mbreti i 6-të i belgëve, më 9 gusht 1993.

Ngjitja e tij në fron u bë pas vdekjes së vëllait të tij, Mbretit Baudouin, në moshën 62-vjeçare.

“Kam kuptuar se mosha dhe shëndeti im nuk më lejojnë më të kryej detyrat e mia, ashtu siç do të doja t’i bëja”, tha ai gjatë transmetimit televiziv. “Princi Philippe është i përgatitur mirë për të më pasuar në këtë detyrë”.

Mbreti Albert u takua me kabinetin e qeverisë belge të mërkurën, për t’i informuar ata në lidhje me vendimin e marrë, raporton televizioni shtetëror belg.

Pasi ardhjes në fron, Mbreti Albert u përfshi në një skandal të madh mbretëror, ku ai u akuzua se ishte baba i një vajze jashtë-martesore, Delphine Boel, duke vuajtur një periudhë krize në martesën e tij me Mbretëreshën Paola.

Kjo çështje u vu sërish në dukje këtë pranverë, kur zonja Boel nisi procedurat e gjykatës, për të provuar se ishte vajza e Mbretit. Sipas spekulimeve në media, kjo çështje mund të ketë qenë influencuese në vendimin e tij për të abdikuar.

Belgjika ka një monarki kushtetuese, në të cilën mbreti luan një rol të rëndësishëm ceremonial. Një nga detyrat e monarkut është përpjekja për të zgjidhur krizat kushtetuese.

Mbreti Albert ushtroi autoritetin e tij në ndërmjetësimin mes liderëve politikë në formatimin e qeverisë së re gjatë ngërçit parlamentar të 2010-2011-s, kur Belgjika mbeti pa qeveri për 541 ditë, pasi zgjedhjet nuk nxorrën një fitues të pastër.

Tensionet mes dy komuniteteve kryesore gjuhësore, Flamandët dhe Frankofonët, shpesh kanë shkuar larg, çështje kjo që ka rrëzuar disa qeveri, duke krijuar shpesh herë destabilitet politik.

Respekti për familjen mbretërore, është një ndër faktorët e paktë, që bashkon dy komunitetet e ndara.

Njoftimi i Mbretit Albert vjen vetëm 3 muaj pasi Mbretëresha Beatrix e Holandës fqinje abdikoi nga froni holandez, në favor të djalit të saj, Willem-Alexander.

Top Channel