Kriza, dorëhiqet shefi i Financave portugeze

02/07/2013 00:00

Ministri i Financave i Portugalisë, Vitor Gaspar ka dhënë dorëheqjen, kanë njoftuar mediat lokale online.

Ministri ka qenë një zyrtar i vlerësuar nga kreditorët ndërkombëtarë për mbajtjen nën kontroll të financave portugeze pas kërkesës së vendit për një ndihmë në vitin 2011.

Gjithësesi, vendi vazhdon të jetë në reçesion, me papunësi të lartë dhe me shifrat e fundit që tregojnë se defiçiti buxhetor është zgjeruar në tremujorin e parë të vitit.

Zyra e presidencës portugeze njoftoi se Maria Luis Albuquerque do të zëvendësojë zotin Gaspar në drejtimin e Financave të vendit.

Në letrën e dorëheqjes, të cilës i referohet agjencia e lajmeve “Reuters”, zoti Gaspar deklaron se, dështimi në frenimin e defiçitit publik dhe reduktimin e borxheve kanë minuar besueshmërinë e tij.

Në mars të këtij viti, qindra mijëra persona protestuan kundër masave shtrënguese të qeverisë. Disa prej masave të ministrit Gaspar janë rrëzuar më herët edhe nga gjykata kushtetuese e vendit, duke e lënë qeverinë të rropatet për të mbushur boshllëkun e financave të saj.

Zoti Gaspar deklaroi se shpresonte që dorëheqja e tij të forcojë kohezionin e koalicionit qeveritar në një moment “sfidash dhe rreziqesh të mëdha”.

Top Channel