Të dielën e 3 nëntorit të këtij viti, shtetasit e Kosovës me të drejtë vote do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe këshilltarët e këshillave bashkiake.
Presidentja Atifete Jahjaga e shpalli këtë datë pas konsultimeve përmbyllëse me liderët e partive parlamentare dhe me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.
Zgjedhjet do të mbahen në të gjithë territorin e Kosovës, pra edhe në bashkitë e komunat në veri të Kosovës.
Presidentja Jahjaga ka vlerësuar me këtë rast se “mbajtja e zgjedhjeve vendore në tërë territorin e Repulikës së Kosovës, njëkohësisht, është një mesazh i rëndësishëm për qytetarët e vendit dhe siguron integritetin territorial dhe subjektivitetin e Kosovës”.
Më tej, siç njofton zyra për media e Presidentes Jahjaga, ajo ka theksuar se “përfshirja në zgjedhjet bashkiake të qytetarëve të komunitetit serb, të komunave në veri të territorit të Republikës së Kosovës, do t’u mundësojë atyre zgjedhjen e përfaqësuesve legjitim, të dalë nga vota, që do të punojnë për të ardhmen e të gjithë qytetarëve dhe për integrimin e të gjithëve në shoqërinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.
Po ashtu, Presidentja Jahjaga gjatë këtyre konsultimeve përfundimtare, citohet të ketë thënë se “zgjedhjet vendore duhet të jetë të drejta, demokratike dhe të lira ku secili qytetar i Republikës së Kosovës, pa dallim, të mund të shpreh vullnetin e tij të lirshëm përmes votës së tij”.
Aktualisht, nga zgjedhjet e fundit vendore, PDK kontrollon 17 bashki (të njohura në Kosovë si komuna), LDK shtatë dhe tre të tjera kontrollohen nga kreybashkiakë pjesë e AAK-së.
Top Channel