Dy prej të arratisurve shqiptarë nga burgu i Trikallës janë vrarë nga policia greke, pas një operacioni të forcave speciale të saj në zonën Koniska të prefekturës së Etoloakarnanias, rreth orës dhjetë të mbrëmjes së të martës.
Forca të shumta policore, që kishin ngritur prita të ndryshme në këtë zonë prej mëngjesit, pasi kishin zbuluar me kamera termike se aty fshiheshin pesë prej të burgosurve shqiptarë, që ishin arratisur nga burgu i Trikallës disa javë më parë, kanë zbuluar dy prej tyre që lëviznin në këmbë.
Kur u kanë kërkuar të dorëzoheshin, ata jo vetëm që nuk kanë pranuar, por kanë hapur zjarr me kallashnikovë dhe, pas një shkëmbimi zjarri me forcat e policisë, dy të arratisurit shqiptarë janë vrarë.
Mediat greke bëjnë me dije se dy shqiptarët janë Edison Lika dhe Admir Nikaj (Murataj/Xhaferri), por policia ende nuk konfirmon vrasjen e tyre zyrtarisht.
Burime policore theksojnë se dy të arratisurit kishin rënë në përleshje edhe njëherë tjetër me forcat e policisë në 17 qershor, pranë fshatit Distomo, ku nga breshëritë ka humbur jetën një polic grek.
Ndërkohë, vazhdojnë kërkimet për tre të arratisurit e tjerë, midis të cilëve ndodhet edhe i shumëkërkuari i policisë Marian Kola.
Në operacion marrin pjesë edhe forcat speciale të antiterrorit.
Top Channel