I thirrur në cilësinë e kryeministrit të zgjedhur, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka marrë pjesë në ceremonitë festive të organizuara me rastin e anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Europian.

Siç njofton Departamenti i Komunikimit në PS, Edi Rama mori urimet për fitoren e zgjedhjeve parlamentare nga të gjithë të pranishmit. Po ashtu, Rama pati mundësinë të zhvillonte disa takime pune me Zv.Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Philip Reeker, me Komisionerin për Zgjerim, Stefan Fule, me kryeministrin sllovak Robert Fico, zv.kryeministrin e njëherësh ministër i jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Laicak, me zv.kryeministrin e njëkohësisht ministër për çështjet e BE-së të Danimarkës, Nicolai Wammen, me ministrin e punëve të jashtme të Suedisë, Carl Bildt, si dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Në vijim të komunikatës për shtyp, thuhet se në të gjitha takimet e zhvilluara ka mbizotëruar fryma e bashkëpunimit reciprok dhe interesit të vazhdueshëm të këtyre vendeve për hapat që do të ndjekë Shqipëria në rrugën e saj të pakthyeshme drejt integrimit europian.

Top Channel