Tre ditë pas vendimit për hapjen e negociatave mes Bashkimit Europian dhe Kosovës për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy erdhi në Kosovë për të përgëzuar lidershipin kosovar për rezultatet nga dialogu me Serbinë.

I kthyer pas pesë vitesh në Prishtinë, Van Rompuy tha se pa këto rezultate ai sigurisht nuk do të vizitonte kryeqytetin kosovar. Në një konferencë me kryeministrin Hashim Thaçi, presidenti i KiE foli për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit.

Ndërkaq, ai kujtoi se negociatat për MSA-në do ta ndihmojnë Kosovën që të bëjë reforma në fushën e drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit, etj.

“Do të doja që publikisht ta përgëzoja kryeministrin Thaçi që iu përgjigj thirrjes së historisë në drejtim të pajtimit dhe të një të ardhmeje të përbashkët, prosperuese dhe paqësore me fqinjët tuaj. Tani ju duhet të siguroni se marrëvëshja do të zbatohet. Jam i kënaqur që mandati për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit është ambicioz. Kjo do t’i mundësojë Kosovës që të vendosë një dialog politik me Bashkimin Evropian dhe të bëjë përparime me reforma në fushën e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, lirisë dhe sigurisë, politikat tregtare, sikurse edhe bashkëpunimin në një varg fushash të tjera”, deklaroi Van Rompuy.

Nga ana e tij, kryeministri Thaçi siguroi interlokutorin europian se qeveria e tij do të kryejë të gjitha detyrimet në afate kohore, në mënyrë që Kosova të mos humbë kohë gjatë rrugës për t’u bërë pjesë e familjes europiane.

“Unë iu zotova presidentit Van Rompuy se Kosova të gjitha angazhimet që do të ketë do t’i implementojë në një afat rekord, në mënyrë që të lëvizim me hapa të tjerë në kapituj të tjerë drejt së ardhmes evropiane, duke punuar edhe maksimalisht që sa më shpejt të ndodhë edhe liberalizimi i vizave. Vullneti i popullit të Kosovës dhe vizionit politik të qytetarëve te Kosovës është e ardhmja evropiane, prandaj jemi duke punuar me të gjithë dhe është jashtëzakonisht me rëndësi, i nderuari Van Rompuy, se në Kosovë ka unitet të qëndrueshëm qytetar, por edhe politikë e gjithetnik për të ardhmen evropiane”, nënvizoi Thaçi.

Sa i përket liberalizimit të vizave me qytetarët e Kosovës, presidenti i Këshillit Europian sërish nuk foli për afate kohore për heqjen e vizave. Por ai u shpreh i impresionuar me punën e vazhdueshme dhe theksoi se, nëse Prishtina vazhdon t’i plotësojë kriteret, vizat do të hiqen. Zoti Van Rompuy u prit edhe nga presidentja Atifete Jahjaga dhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Top Channel