Programi i qeverisjes së majtë

01/07/2013 16:10

Deputeteti Ilir Beqja, i Partisë Socialiste dhe Edmond Haxhinasto, i LSI-së janë mandatuar për hartimin e një plani të detajuar pune të qeverisë së majtë.

Në një intervistë për Top-Channel, deputeti Beqja tregon se po punohet për të hartuar kuadrin e plotë qeverisës dhe në mënyre të detajuar për planin e 300 ditëve të para.

Sipas Beqjas, bëhet fjalë për përkthimin në program të angazhimeve elektorale, si dhe gjetja e burimeve të nevojshme financiare që do të duhen të injektohen në sektorë në funksion të zhvillimit dhe produktit të punësimit. Por cilët janë sektorët që sipas Beqjas kërkojnë një ndërhyrje emergjente?

“Nëse do të përdorim fjalën emergjencë unë do të thosha se emergjencë kërkohet në stabilietin e dy aspekteve. Vendi ka nevojë për normalitet fiskal dhe normalitet demokratik. Ndërsa po të flasim për sektorët ku duhen ndërhyrje urgjente afatmesme dhe afatgjatë janë qoftë sektori prodhues, si ai i manifakturës, fshati, bujqësia, turizmi dhe padyshim një qasje krejt e re në administrimin e burimeve tona natyrore”, deklaron Beqja.

Ilir Beqja hedh poshtë të gjitha pretendimet se mes PS dhe LSI ka një diskordancë përsa i përket propozimeve që lidhen me taksimin.

“Nuk kemi diskordancë në taksimin në Shqipëri. Edhe gjatë fushatës nuk ka pasur diskordancë të tillë, edhe pse është krijuar një perceptim sikur partitë kanë këndvështrime të ndryshyme për taksimin. Ne dhe LSI jemi shprehur për një nivel taksimi tek korporatat dhe për progresivitet tek të ardhurat. LSI-ja ka bërë një propozim për tre nivele, propozimi ynë ka më shumë nivele, por nuk besoj se problemi do të jenë nivelet e progresivitetit”, nënvizon Beqja.

Top Channel