Përgjimet e SHBA-së

01/07/2013 00:00

Franca, Greqia dhe Italia janë përgjuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është sërish gazeta britanike “The Guardian” që publikon një dokument të Agjensisë Kombëtare të Sigurisë (NSA), sipas të cilit përveç vendeve europiane, janë vënë në shënjestër dhe aleatë të tjerë të Uashingtonit.

Sipas dokumentit të 2010-s, në total janë 38 ambasada dhe misione që përshkruhen nga NSA si shënjestra. “The Guardian” shkruan edhe mbi metodat e shumta të spiunazhit, vendosjen e përgjuesve në aparatet e komunikimit, përdorimin e antenave të veçanta etj.

Njëkohësisht nënvizohet përdorimi i emrave të koduar të operacioneve ndaj misioneve franceze dhe greke në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si dhe në ambasadën italiane në Uashington. Lista, siç shkruan ‘The Guardian’, përfshin edhe aleatë të tjerë të SHBA-së: Japoninë, Meksikën, Korenë e Jugut, Indinë dhe Turqinë.

Gazeta prestigjoze britanike, që i referohet një dokumenti të 2007-s, shkruan se një përgjues ishte vendosur në një makinë faksi në misionin e BE-së në Uashington. Publikimi në “The Guardian” ndjek shkrimin e revistës gjermane ‘Der Spiegel’, ku thuhej se zyrat e BE-së janë përgjuar dhe pas kësaj zyrtarët europianë kërkuan shpjegime nga Shtetet e Bashkuara. Madje Franca dhe Gjermania kërcënuan se do të ketë ndikim në marrëdheniet me Amerikën.

Me të njëjtat tone ishte edhe Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Shulz. Komisioni Europian që luan një rol kyç në bisedimet për tregtinë i kërkoi Uashingtonit të hetojë akuzat. Ish-kontraktori i CIA-s, Eduard Snouden, që ka dorëzuar këto dokumente në shtyp, ka kërkuar azil politik në Ekuador. Ai aktualisht ndodhet në një aeroport të Moskës pasi autoritetet amerikane anulluan pasaportën e tij. Agjensia Kombëtare e Sigurisë (NSA) tha se qeveria amerikane duhet të përgjigjet përmes kanaleve diplomatike dhe diskutimeve me vendet e përfshira.

Top Channel