Pakistan, dhjetëra të vrarë në sulmet kamikaze

01/07/2013 16:00

Dy sulme të veçuara vetvrasëse vranë të paktën 47 persona dhe plagosën mbi 90 të tjerë, gjatë së dielës në Pakistan, informuan burimet zyrtare.

Sulmet, pjesë e një fushate terrori në përshkallëzim, përbëjnë një sfidë në rritje për qeverinë e kryeministrit të ri, Nawaz Sharif.

Shpërthimi më i rëndë goditi një lagje shiite në qytetin e Quettës. Një kamikaz shpërtheu një rrip me dinamit që mbante në kraharor në mes të një turme, duke vrarë 30 persona dhe plagosur 50 të tjerë.

Ndërkohë, ekziston një presion ndërkombëtar në rritje ndaj Islamabadit zyrtar, i cili deri më tani është treguar i paaftë për të kontrolluar organizatën e Lashkar-e-Jhangvi, një grupim terrorist sunit që ka pranuar se është përgjegjës për një pjesë të mirë të dhunës së organizuar ndaj shiitëve.

Top Channel