Gjykata penale në Shkup e ka dënuar me tre vite burg ish-kryeministrin maqedonas Vllado Buçkovski.
Padia kundër Buçkovskit ishte ngritur nën akuzën se gjatë kohës kur ai drejtonte Ministrinë e Mbrotjes ka abuzuar me dy milion euro, mjetet financiare të kësaj ministrie, duke blerë pjesë të panevojshme për tanket e armatës.
Krahas tij, në aferën e njohur “Pjesët e tankeve”, u dënuan me nga tre vite burg edhe ish-shefi i Shtatëmadhorisë së Armatës së Maqedonisë, Metodija Stamboliski dhe dy persona tjerë.
Pas shqiptimit të dënimit nga gjykata, Buçkovski tha se vendimi është skandaloz dhe nuk është i bazuar në fakte.
“Vendimi ishte skandaloz. Më vjen keq që gjykatësi nuk kishte guxim dhe nuk kishte asnjë dëshmi që do ta shfrytëzontë për vendimin e tij. Shihet qartë se vazhdon praktika e gjykatësve për t’iu vardisur pushtetit. Jam i bindur se ky vendim do të rrëzohet pasi, të gjitha indikacionet nga Gjykata e Apelit çonin drejt një vendimi për lirimin tonë”, deklaroi ish-kryeministri.
Në bazë vendimit të gjykatës, të akuzuarit obligohen që të kthejnë mjetet financiare me të cilat kanë abuzuar, që kalojnë shumën prej 2 milion eurove.
Ndërkaq, ish-kryeministri maqedonas Vllado Buçkovski javën e kaluar, promovoi partinë e re, Aleanca për Maqedoni Positive, bashkë me biznismenin Minço Jordanov dhe gazetarin Lupço Zikov.
Top Channel