Komisioni parlamentar për legjislacion i ka dhënë dritën e gjelbër shqyrtimit në parim të Projektligjit për Aministinë, i cili tashmë do t’iu kalojë deputetëve për leximin e parë.

Ky projektligj, që del si detyrim edhe nga marrëveshja Kosovë-Serbi në Bruksel, ku palët janë pajtuar për të zgjidhur problemin në veri të Kosovës, tashmë është në proces fillestar dhe parashihet të ketë vlefshmëri për të gjithë territorin e Kosovës.

Por kush do të lirohet plotësisht nga ndjekja penale apo vuajtja e plotë e dënimit për veprat që kanë mundur t’i bëjnë deri më 20 qershor të vitit 2013?

Sipas projektligjit, të liruar do të jenë personat që kanë kryer sulm kundër rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës, përveç në rastet kur kryerja e kësaj vepre penale ka rezultuar me kryerjen e një vepre penale për të cilën nuk është dhënë amnisti.

Sipas nenit 3, lirohen nga 20% i dënimit të shqiptuar me burgim të gjithë autorët e veprave penale, përfshirë edhe personat kundër të cilëve akoma nuk është ngritur aktakuzë apo kundër të cilëve nuk ka filluar ndjekja penale, për veprat penale “vrasje e kryer në gjendje të efektit mendor”, “vrasje nga pakujdesia”, “vrasja e foshnjeve gjatë lindjes”, por, sipas projektligjit, nuk amnistohet asnjë vrasje tjetër, apo lëndim trupor kundër personave zyrtarë për motive politike, etnike, apo tjetër.

Po ashtu, përveç atyre që mund të përfitojnë nga një ligj i tillë në rast se miratohet pa ndonjë ndryshim, nga amnistia përjashtohen personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë për vepra penale, të cilët nuk janë të përfshirë në paragrafin 1 të nenit 3 të këtij ligji. Aministi do të ketë edhe për ata që janë shmangur nga tatimi, që kanë kontrabanduar mallra, apo edhe nxitja e urrjejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Gjatë ditës së hënë në komisionin parlamentar për legjislacion, deputetët kanë shfaqur qëndrime të ndryshme në lidhje me këtë projektligj, të cilin në fund me 4 vota pro, 2 ambstenime nga LDK dhe 1 kundër nga Vetëvendosje e kaluan për lexim të parë në Kuvend.

“Një pjesë e qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk e kanë ndierë veten qytetarë të Kosovës, të cilët nuk kanë respektuar tërësinë territoriale të Kosovës, të cilët e kanë cënuar gjithnjë integritetin territorial të Kosovës, por që në këtë moment janë shkëputur nga qendra motivuese, Beogradi, dhe kërkojnë të respektojnë rendin kushtetues, atëherë për ato vepra jam i interesuar të jap pëlqimin tim”, deklaroi deputeti Halit Krasniqi nga radhët e PDK-së.

“Me këtë projektligj është paraparë të amnistohen kryesit e afro 100 veprave penale që nuk besoj se ka ndonjë ligj të tillë në botë që ofron amnisti për një numër kaq të madh veprash penale”, reagoi Haki Demolli nga LDK.

“Ky ligj është problematikë në tri rrafshe kryesore, pra me këtë ligj po amnistohet një grup nga ndjekja penale, pra po amnistohen serbët ende pa nisur proçedura e hetimit dhe identifikimit të krimit, identifikimi të kriminelit, dënimit të kriminelit e më pastaj amnistia pas një kohe të vuajtjes së dënimit”, tha nga radhët e VV, deputetja Albulena Haxhiu.

Në anën tjetër, në shenjë paknaqësie me këtë projektligj, në burgun e Dubravës prej disa ditësh ka filluar një grevë urie, të cilës i janë bashkuar shumë të burgosur.

Siç është raportuar, të burgosurit kanë kërkuar nga deputetët që të ndryshojnë këtë projektligj, në mënyrë që të përfshihen të gjitha kategoritë. Anëtarët e këtij komisioni pritet që të zhvillojnë një vizitë tek të burgosurit për të diskutuar në lidhje me këtë çështje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA