YLLI POLOVINA – U gjallëruan me shpejtësinë dhe paturpësinë e tyre të mahnitshme.

Qenë me pushtetin që iku, tani duan të jenë me atë që erdhi. Vite më parë e kishin përsëritur në kahe të kundërt kameleonizmin e tyre, po ashtu sërish në të anasjellë qenë një dekadë më të shkuar. Piruetë bënë kur ra sistemi ku patën privilegjuar, komunizmi. Kjo e delenxhinjve politikë është një racë fitimtarësh, të cilës në Shqipëri nuk duket se u po reziston njeri. Apo, për hir të Zotit, mund të frenohen ose të paktën të mos shndërrohen në model joshës, në mënyrë të suksesshme të jetuari, në një “njeri të kohës”? Do të jemi mjaft të lumtur sikur… sikur, ah, nami i tyre i mbrapshtë të bëhej një shembull negativ edhe për politikën, e cila i inkurajon! Këto vitet e fundit ajo e kapërceu shumë të padrejtën e saj për të harruar vlerësimin e meritës profesionale dhe të ndershmërisë morale.

Jo në një apo në dy raste, edhe pse për shkaqe utilitare të një shumice qeverisëse në fill të perit, politika nxiti shumimin e delenxhinjve. Ata e kuptuan vështirësinë e njërës palë dhe iu shitën shtrenjtë. Kundërshtarë të njohur dhe shpesh gojështhurur dhe shumë cinikë, që kishin vepruar kundër saj jo me kritika, por me urrejtje, u pritën me krahët hapur, si shpëtimtarë. U himnizuan! U ngjitën edhe në tribuna, u vunë madje në rresht të parë të dukjes publike. Kështu ikësi, bredhësi, prostituitësi politik, u bë ikonë morali pozitiv. Këta, për t’u bërë të besueshëm në pabesueshmërinë e tyre flagrante, nuk mjaftoheshin me kalimin tek ana e pushtetit apo te një parti në qeverisje, sepse, edhe pse e cungët, kjo është pjesë e lirisë dhe e laramanizmit të kësaj bote. Kaq, fundi fundit, mund të durohet. Por shpinëkthyesit shkuan më tej, sepse brenda qenies së tyre mbeten tradhtarë profesionistë. U është bërë zanat si vjedhja e xhepave në autobusët urbanë. Këta të shumëpërdorshëm, kush i vë në dorë, nuk humbnin asnjë ditë pa sulmuar, poshtëruar e mallkuar palën politike që kishin braktisur, madje ajo ishte vetë opozita e vendit, pjesa më delikate dhe më pak e mbrojtura në një sistem parademokratik, siç ende vijon të jetë Shqipëria. Derdhnin zift të nxehtë mbi të, pa pikë dhimbjeje dhe mëshire, pa më të voglën keqardhje, tamam siç edhe shumë prej tyre patën bërë më parë me palën politike që sapo kishin zgjedhur se qe në pushtet dhe për shërbime të tilla shpërndante favore të pakursyera. Në kronikat shqiptare ata të gjithë ishin e mbeten të regjistruar se si barbarisht atij që po i ristrehonte dhe çuditërisht po u bënte apoteozë, i kishin shqiptuar fjalët ogurzeza të thyerjes së kafkës, të daljes së kancerit në fyt, të thirrjes njerëzve që, për ta larguar nga pushteti, duhej patjetër të lëviznin tanket drejt Tiranës dhe qytetet të digjeshin në flakë kryengritjeje. Mund të rikthehen të tërë ata që të kanë braktisur në mot të vështirë e të mos ua mbyllësh derën. Është edhe një lloj triumfi tek i sheh të aviten e të bien në gjunjë të gjithë plëngprishësit. Por ata nuk mund të zhvendosin qëndrestarët, të paepurit, mostradhtuesit. Nuk mund të bëhen dot kurrsesi koka e diamant i bashkësisë tënde partiake. Ai që të kthen shpinën njëherë dhe kërkon të bashkohet me ty vetëm kur je në pushtet, e bën lehtësisht edhe të kundërtën. Ylli polar i një bashkësie partiake dhe çdo tjetër komuniteti është ai që, duke të mos thurur ditirambe, kryen pa zhurmë e në mbështetje punë të vyera. Sa shumë të tillë ka dhe, habi e madhe, si nuk i vënë re!

Ishte kjo përmbysje e madhe e vetë rregullave më elementare të moralit njerëzor që shkaktoi këtë herë një humbje të rëndë elektorale, mbase të merituar jo kaq thellë. Ishte vetë shoqëria shqiptare që reagoi kundër këtij modeli nxitës politik.

Jo pak kanë përshtypjen se shoqëria jonë ka mangësi të mëdha, se ajo është apatike, me nivel të paarrirë qytetar, pajtuese me njollat, pa pretendime të mëdha morale etj., etj. Sigurisht shumë nga këto qëndrojnë dhe mund të vërtetohen sa herë që zhbiron në historinë tonë të djeshme dhe të sotme. Veç, lutem, shihni më me vëmendje sa janë ata “drushtrembër” që prishin rendin publik, kryejnë ndërtime pa leje, nuk paguajnë detyrimet e harxhimeve vetjake apo taksat, që bëjnë zhurmë pas mesnate apo nëpër shkallët e pallateve hedhin bishta cigaresh dhe nëpër rrugë mbeturina. Janë fare pak. Nuk janë aspak shumë, numërohen me gishta. Janë pakica e pakicës ata që lanë nam me vagabondazhin e tyre politik. Lexoni blogjerat për të kuptuar sa përbuzje e neveri derdhet si lumë për ta. Asgjë pasojë, veç shëndoshjes etike, nuk i ndodh shoqërisë shqiptare t’i konsiderojë këta rrufjanë si një kthinë të turpshme bordelloje dhe të mos e lejojë politikën, këtë të shumëfuqishme deri në problem, t’i inkurajojë. Logjika dhe teknika e veprimit korruptiv është bumerang. Pikërisht kjo ndodhi më 23 qershor.

Popujt kanë të meta, por kurrë vese. Nuk ka, anë e kënd globit, popull hajdut, popull që shitet e blihet për një karrige a tender, për djalin apo vajzën të emëruar në poste fitimprurëse paligjshmërisht dhe padrejtësisht, vetëm e vetëm sepse i ati i tyre ka goditur në shpinë, si cub, një person apo parti tjetër rivale. Se një “kukuvajkë” hidhej nga dega në degë dhe ditë e natë paralajmëronte humbjen e ardhshme të opozitës në zgjedhje. Çdo shoqëri i ka të domosdoshme, jetike, të patjetërsueshme dhe të pashkatërrueshme kodet e saj morale. Ajo nuk mund t’i prishë ato, sepse pastaj shpërbëhet vetë. Në mbijetimin e saj të domosdoshëm, të detyruar, shoqërisë i duhet të qëndrojë e fortë, vitale, e mosdobësuar dhe e paplakur. Nëpër shekuj asaj i ka ndodhur të sundohet nga tiranët më të mëdhenj e megjithatë e ka ruajtur identitetin e vet. Luftëra të gjakshme e kanë përgjysmuar dhe po njëlloj ka shpëtuar e pacenuar në integritet. Ka kapërcyer me fare pak humbje ditë, muaj dhe, në rastin shqiptar, edhe vite të tëra anarkie, ku nuk kishte as parti politike, dhe, sërish, mbeti në këmbë. E panjollosur. E qartë dhe e vendosur se në të gjitha kohërat hajduti është hajdut, shpinëkthyesi për të siguruar një përfitim të pamerituar vetjak një tradhtar i rëndomtë, delenxhiu një delenxhi.

Shqiptarët kanë plot defekte, por vese jo. Ata i refuzojnë aktivisht ato. Më 23 qershor kishte nga pak prej të gjithave, edhe nevojë për ripërtëritje të grupit qeverisës, edhe dëshirë për të vazhduar më tej gjërat e mira të pasnëntëdhjetës, edhe logjikë rotacioni po ashtu. Megjithatë më shumë se përzgjedhje alternative politike ndodhi një revolucion i madh moral.

Po nuk u kuptua kjo nga fitimtarët e radhës, ky revolucion do të përsëritet.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA