Veprimet e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje për të penguar ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi janë vlerësuar si një “papjekuri politike” dhe jo ndonjë tendencë për të pushtuar Kuvendin.

“Nuk besoj. Mund të jenë vendime të papjekura dhe të pamenduara, por nuk besoj që kanë pasur tendencë”, ka deklaruar Krasniqi.

Ndërkohë që shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci veprimet e Vetëvendosjes i quan grusht shteti dhe përpjekje për urzurpim të Kuvendit.

“Përderisa është uzurpuar ulësja e kryetarit të Parlamentit në mënyrë të dhunshme, me mjete jo demokratike, atëherë nuk kam nevojë ta emërtoj atë përveçse tendencë për grusht shteti”, ka thënë Grabovci.

Mirëpo me këtë nuk është pajtuar nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se veprimet e deputeteve të VV-së qenë vetëm përpjekje për të ndaluar ratifikimin e një marrëveshjeje.

“Ne nuk mendojmë se ka pasur ndonjë tendencë për grusht shteti apo tendencë për okupimin e Kuvendit të Kosovës. Ajo ka qenë një përpjekje për bllokimin e ratifikimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, të cilën ne e konsiderojmë shumë të dëmshme dhe për të cilën ne kemi dhënë edhe arsyet tona”, ka thënë Konjufca.

Madje, ai ka theksuar se papjekuria më e madhe e këtij Kuvendi është kur ky institucion shkel ligjet e veta dhe Kushtetutën e Kosovës. Ndërkohë, Konjufca i ka kërkuar falje ambasadores amerikane Tracy Ann Jacobson dhe të gjithë diplomatëve të cilët janë vënë në vështirësi atë ditë.

Top Channel