Turi i Obama-s në Afrikë

30/06/2013 20:10

Presidenti Barack Obama i ftoi në dialog të rinjtë nga Afrika e Jugut dhe tre vende të tjera afrikane, duke iu përgjigjur pyetjeve për çështje, që nga rritja ekonomike e deri tek anti-ekstremizmi.

Ai dukej i qetë dhe plot energji, gjatë dialogut me të rinjtë e mbledhur në ambjentet e Universitetit të Johanesburgut, në Soweto.

Afrika është në lëvizje, – tha presidenti, – por ndeshet me sfida të mëdha, që nuk mund të injorohen. Pikërisht rinia afrikane, – u shpreh shefi i Shtëpisë së Bardhë, – është ajo, që do të marrë në dorë udhëheqjen.

“Në një kohë, kur mjaft afrikanë ndeshen me vështirësi të mëdha dhe padrejtësi të shumta, një Afrikë e re më e begatë, plot vetëbesim, po zë vendin e vet në arenën botërore. Një nga arsyet për këtë është brezi juaj”, u shpreh Obama.

Turi i Obama-s në tre shtete afrikane vjen në kohën, kur lideri ikonë i luftës kundër Aparteidit, Nelson Madela, po lufton me vdekjen. Gjendja shëndetësore e 94-vjeçarit, të cilin Obama e përshkroi si “frymëzim për botën”, mbetet kritike.

Por, jo të gjithë ishin entuziastë për vizitën e presidentit amerikan. Në Soweto pati protesta kundër tij, të cilat degjeneruan në përleshje me policinë. Ndalesa e fundit në Afrikën e Jugut është Cape Town, ku masat e sigurisë janë shtuar ndjeshëm.

Obama do të mbajë një fjalim të rëndësishëm, pikërisht në ambientet e Universitetit, ku 47 vjet më parë, senatori amerikan Robert Kennedy përmendi të famshmin “valëzim të shpresës”, një frymëzim për të gjithë ata, që luftonin kundër politikave të përçarjes racore të Aparteidit, ndërsa luftën e tyre e lidhi me lëvizjen amerikane për të drejtat qytetare.

Top Channel