“SHBA spiunon Bashkimin Europian”

30/06/2013 00:00

Bashkimi Europian shprehet i shqetësuar mbi disa raportime që thonë se shërbimet sekrete amerikane kanë patur nën përgjim për një kohë të gjatë shumë institucione të tij në Bruksel, Uashington dhe Nju Jork.

Reagimi ka ardhur pas botimit të një artikulli nga gazeta gjermane “Der Spiegel” ku thuhet se në bazë të një raporti sekret të vitit 2010, i bërë publik së fundmi, shërbimet sekrete amerikane kanë përgjuar zyrat e BE-së në Bruksel, Nju Jork dhe Uashington.

“Nëse kjo është e vërtetë atëherë do të ketë një impakt të rëndë në marrëdhëniet mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara”, deklaroi presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz.

Sipas “Der Spiegel” ish-kontraktori i CIA-s, tashmë në arrati, Edward Snowden publikoi dokumentin. Gazeta gjermane thotë se dokumenti ka dalë nga zyrat e NSA (National Security Agency), agjencia amerikane e sigurisë së brendshme dhe në të BE referohet si “shënjestër”.

Mendohet se informacioni sekret është siguruar nëpërmjet thyerjes së barrierave të sigurisë në rrjetin kompjuterik të institucioneve të Brukselit. Sipas BBC, nuk dihet karakteri i këtij informacioni të siguruar nga shërbimet amerikane, por besohet se mes tyre ka patur edhe detaje mbi qendrimet e Bashkimit Europian për cështje të tregtisë dhe cështje të tjera ushtarake.

Reagimi i parë nga BE ka ardhur prej Parlamentit Europian. Presidenti Martin Schulz ka kërkuar sqarime të menjëhershme nga autoritetet amerikane.

“Në emër të Parlamentit Europian kërkoj informacion të plotë dhe të shpejtë nga autoritetet amerikane lidhur me këto zëra”, thuhet në deklaratën e kreut të PE-së.

Për momentin, Uashingtoni nuk ka reaguar ndaj shkrimit të “Der Spiegel”.

Top Channel