Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi, në orët e vona të së mërkurës, hapjen e kutive të votimit për qarkun e Lezhës, më problematiku i këtyre zgjedhjeve.

Në sallën e mbledhjeve të këtij institucioni, u rinumëruan votat e 10 kutive, që i përkasin qytetit të Lezhës, për të cilat Partia Demokratike kërkon rivlerësim të tabelave të rezultateve të tyre, për shkak se mungojnë tabelat origjinale të rezultateve.

Por, në përfundim të rinumërimit rezultoi mospërputhje e votave, edhe mes atyre të raportuara nga grupet e numërimit në sistemin elektronik të KQZ-së, për këto qendra, mbi bazën e të cilave u bë edhe ndarja e mandatit të fundit në këtë qark, që i shkoi PD-së, nga një diferencë e ngushtë mes koalicioneve prej 39 votash.

Në një përllogaritje të përafërt dhe ende jo zyrtare, bëhet fjalë për rreth 70 vota, të cilat rezultuan se i janë marrë partive të vogla dhe i janë llogaritur partive të mëdha, por që rrisin diferencën e votave në favor të koalicionit të djathtë, duke forcuar mandatin e fundit të PD në Lezhë.

Por, nga ana tjetër, është Partia Socialiste, që kërkon pavlefshmëri në 6 Qendra të Votimit në Lezhë, kutitë e materialeve zgjedhore të të cilave, gjithashtu, u hapën nga KQZ.

Bëhet fjalë për katër kuti të Laçit, ku në ditën e zgjedhjeve ndodhi edhe incidenti me armë zjarri dhe u shoqërua me humbjen e jetës së një simpatizanti të LSI-së, incident pas të cilit komisionerët e majtë u larguan për disa orë.

Të majtët thonë se gjatë këtyre orëve kanë ndodhur edhe manipulime të votave, duke kërkuar për to pavlefshmëri. Të njëjtën kërkesë, PS ka edhe për dy Qendra të tjera Votimi të këtij qarku.

Në njërën rezulton se ka më shumë vota se votues, ndërsa në qendrën tjetër, atë të Mamurrasit, rezultojnë të kenë votuar 156 votues, të cilët janë emigrantë dhe nuk kanë qenë në ditën e zgjedhjeve në Shqipëri, të verifikuara edhe nga sistemi TIMs, sipas PS.

Pretendimeve të dy partive më të mëdha për qarkun e Lezhës, do t’u jepet përgjigje nga KQZ mesditën e së enjtes, së bashku me vendimin për qarkun e Shkodrës.

Nëse institucioni më i lartë i zgjedhjeve i vërteton pretendimet e PS, dhe rrjedhimisht pavlefshmërinë në gjashtë 6 Qendra Votimi, qarku i Lezhës do t’i shkojë për  vendimmarrje Kolegjit Zgjedhor, pasi KQZ nuk ka kuorumin prej 5 anëtarësh.

Nëse pavlefshmëria pranohet, qoftë edhe në një Qendër Votimi, për shkak të diferencës së ngushtë mes koalicioneve, qarku i Lezhës shkon në ripërsëritje të zgjedhjeve.

Por, marrë në konsideratë traditën e deritanishme të KQZ-së, për të rrëzuar çdo kërkesë ankimore, kjo ka pak gjasa të ndodhë, të paktën jo nga ky institucion. Fjalën e fundit do ta ketë Kolegji Zgjedhor.

Top Channel