Merr fund “dimri” shqiptaro-grek

30/06/2013 00:00

“Dimri ka marrë fund dhe vera do të vijë shpejt në marrëdhëniet shqiptaro-greke”. Ky është titulli i një artikulli të cilin ja kushton prestigjiozja “Kathimerini” triumfatorit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri, Edi Rama.

“Ndjenja që u krijua nga zgjedhjet si brenda dhe jashtë vendit, është se filloi një ndryshim i ri politik, duke ia hequr pushteti nga duart një njeriu të vetëm dhe duke ia dhënë gjithë popullit pas shumë vitesh”.

I pyetur se si do të veprojë qeveria e tij për të ngrohur marrëdhëniet e ngrira të dy vendeve, sidomos pas retorikave irredentiste të paraardhësit të tij, Edi Rama përgjigjet se kabineti i ri nën drejtimin e tij do të ketë prioritet në zhbllokimin e marrëveshjes së kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë, por duke respektuar të dy palët bindjet dhe vullnetin e njëra-tjetrës.

Sipas Ramës, jetojmë në kohë të ndryshme nga më parë dhe nuk mund të përfitohet nga marrëveshjet e përbashkëta nëse nuk ndryshojmë. Ajo që tashmë po quhet loja energjitike dhe që është hapur në rajonin tonë, është një lojë që nuk mund të luhet mirë, nëse nuk tregojmë që kemi një frymë të përbashkët, një frymë rajonale.

“Shqipëria në këto momente të vështira dhe interesante duhet të rifreskojë mënyrën se si e shikon ajo Europën, por edhe se si Europa e sheh atë. Në këtë kuadër edhe Athina dhe Tirana kanë një rol të madh për të luajtur”, thekson Rama.

I pyetur se si ai u përgjigjet zërave që thonë se do të hakmerret ndaj kundërshtareve të tij politikë, kryeministri i ri shqiptar, përgjigjet se pas një triumfi të tillë në zgjedhje, populli kërkon edhe një ndryshim të madh, një frymë të re dhe një mënyrë të re të ushtrimit të politikës.

“Periudha dramatike e qeverisjes së vendit me një Kryeministër që ishte njëkohësisht President i Shtetit, kreu i drejtësisë, Prokuror i Përgjithshëm, kreu i Shërbimieve Sekrete, madje dhe drejtori i Televizionit Shtetëror është mbyllur njëherë e mirë nga populli shqiptar të dielën e kaluar”, ka thënë ai duke shtuar se shqiptarët kanë hyrë në një epokë të re me vullnetin e tyre të lirë dhe tashmë nuk ka kthim.

Sipas “Kathimerini” Berisha ka vonuar tre ditë të pranojë rezultatin e humbjes ,por edhe pse me vonesë ky veprim është tregues se demokracia në Shqipëri ka treguar shenjat e saj të pjekurisë pas gjithë atyre që ka përballuar në 22 vitet e fundit dhe se tranzicioni i qetë i pushtetit do t’i japë një dinamikë të re integrimit të vendit në BE.

Top Channel