Vala e të nxehtit përfshin SHBA

29/06/2013 00:00

Shtetet perëndimore amerikane po përjetojnë një valë të nxehti, me temperaturat që kërcënojnë të thyejnë rekordet e të gjitha kohërave në Tokë.

Në Feniks, Arizona, termometri arriti në 47 gradë Celsius ditën ë premte, ndërsa në shkretëtirën Lugina e Vdekjes, në Kaliforni, arriti në 51 gradë Celsius.

Vala e të nxehtit pritet të zgjasë gjatë gjithë fundjavës. Autoritetet në këto rajone po hapin qendra freskimi dhe druhen se i nxehti mund të vonojë fluturimet ajrore. Një zëdhënës i aviacionit amerikan deklaroi se temperaturat në Feniks do të monitorohen me vëmendje.

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik ka bërë një paralajmërim për zona të ndryshme të rajonit, përfshirë Las Vegasin, duke u bërë thirrje banorëve që të kenë kujdes deri të hënën në mëngjes.

Zona nga pesë shtetet, përfshirë Koloradon dhe Jutahun, do të pësojnë një rritje të temperaturave mbi 37 gradë Celsius gjatë fundjavës.

“Do të shkojmë përtej niveleve rekord në zonën e Feniksit dhe në zonat jug-perëndimore të Shteteve të Bashkuara”, ka deklaruar Mark O’Malley.

Temperaturat në Luginën e Vdekjes në Kaliforni parashikohet të arrijnë në 53 gradë Celsius gjatë fundjavës. Temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Tokë, 57 gradë Celsius, u verifikua rreth 100 vjet më parë, në 10 korrik 1913.

Shkencëtarët thonë se vija ajrore e Amerikës së Veriut, që influencon në kushtet e motit, është bërë më e çoroditur në vitet e fundit, duke shtuar gjasat që sistemi meteorologjik të ngelet në vend.

Top Channel