Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se me vendimin për
nisjen e negociatave për MSA-në, për Kosovën ka nisur një etapë e re e
trajtimit të saj nga të gjitha vendet e BE-së si shtet i pavarur dhe sovran.

Në një prononcim për “RTK”, Thaçi e ka cilësuar këtë hap një sukses të jashtëzakonshëm të Institucioneve qendrore dhe lokale.

“Kosova është rast specifik, pasi për të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor kanë vendosur paraprakisht parlamentet e vendeve anëtare të BE-së dhe jo Këshilli i Evropës”, ka deklaruar Thaçi.

Një ditë më parë, udhëheqësit e Bashkimit Europian, gjatë samitit dyditor të Brukselit miratuan nisjen e bisedimeve të anëtarësimit për Serbinë dhe Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit me Kosovën.

Ata vendosën që deri në Janar të vitit të ardhshëm Serbia të nisë negociatat, duke i dhënë fund transformimit të madh në prespektivat e ish-Jugosllavisë që prej luftrave të viteve 1990.

Ndërsa për Kosovën, liderët ranë dakord që të fillojnë përgatitjet me për MSA-në, hap ky drejt anëtarësimit eventual në BE, i cili shoqërohet me përfitime ekonomike.

Gjithashtu, presidentët dhe kryeministrat e 27 vendeve anëtare mirëpritën Kroacinë si vendin e 28 anëtar të BE-së, që hyn në fuqi të hënën më 1 korrik.

Top Channel