Drejtues të institucioneve të Kosovës dhe të partive politike kanë përshëndetur vendimin për nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Presidentja Atifete Jahjaga ka vlerësuar se, ky vendim konfirmon progresin e arritur në Kosovë dhe hap një etapë të re të marrëdhënieve me Bashkimin Europian, duke qartësuar perspektivën europiane.

“Marrëdhëniet kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së, përmes MSA-së, mundësojnë përparimin e proceseve demokratike, thellojnë reformat gjithëpërfshirëse dhe ofrojnë një perspektivë për zhvillim ekonomik”, thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga.

Ndërkaq, qeveria e Kosovës vlerëson se, nisja e këtyre negociatave, përfundimisht ankoron procesin integrues të Kosovës dhe po ashtu konsolidon edhe më tutje pozitën juridike ndërkomnbëtare të shtetit të Kosovës.

“MSA-ja paraqet një hap më afër arritjes së statusit të vendit kandidat, i cili mundëson kornizë më të gjerë për përfitime nga asistenca financiare e BE-së”, thuhet në deklaratë.

Edhe përfaqësuesi special i Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka deklaruar se vendimi për hapjen e negociatave për MSA-në përbën njohje të qartë të progresit, që ka arritur Kosova në procesin e saj të integrimit europian, si dhe angazhimin e saj për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.

Ndërkohë, shefi i diplomacisë gjermane, Guido Vestervelle, ka uruar homologun e tij kosovar, Enver Hoxhaj, pas vendimit të Këshillit Europian.

Pas këtij vendimi është bërë e ditur se presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, do të vizitojë Kosovën javën e ardhshme. Ai pritet të takohet me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, pastaj me kyetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqin, dhe me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Top Channel