Kthehen përleshjet në Egjipt

29/06/2013 00:30

Të paktën dy persona humbën jetën dhe 100 të tjerë u plagosën, në veri të Egjiptit, pas përleshjeve mes dy grupeve rivale të përkrahësve dhe kundërshtarëve të presidentit Mohamed Mursi.

Një prej viktimave është një gazetar amerikan, i cili – siç raportojnë mediat lokale – u godit me thikë në kraharor në qytetin e Aleksandrisë, ndërsa protestuesit sulmuan dhe i vunë flakën zyrës lokale të “Vëllazërisë Muslimane”.

Ambasada amerikane në Egjipt, siç raporton BBC, po përpiqet të konfirmojë raportimet. Më herët, një burrë u qëllua për vdekje me armë zjarri.

Në të gjithë Egjiptin janë shtuar masat e sigurisë. Trupa shtesë u vendosën në Kajro. Autoriteti kryesor mysliman “Instituti Al Azhar”, përmes një deklarate, bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës.

Të dielën pritet të zhvillohet protesta e madhe e opozitës egjiptiane, gjatë së cilës do të kërkohet edhe largimi i Mohamed Mursit. Ajo përkon me përvjetorin e parë në detyrë të presidentit të Egjiptit, vit që u shënua nga protestat politike dhe rënia ekonomike.

Të mërkurën, përmes një fjalimi, Mursi tha se ndasitë rrezikojnë ta paralizojnë vendin.

Top Channel