El Salvadori është shteti i 101 që ka njohur shtetin e Kosovës. Një
burim brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme ka konfirmuar për të
përditshmen kosovare “Express” se vendi latin tashmë ka marrë vendimin
për të njohur vendin ballkanas si shtet sovran e të pavarur.

Sipas burimit, MPJ ka marrë konfirmimin nga ambasada e El Salvadorit në OKB, ndërsa njohja formale do të ndodhë ditën e hënë, kur ky shtet të dërgojë notën verbale.

Dy ditë më parë ishte qeveria e Egjiptit që mori vendimin për njohjen e Kosovës, duke ia komunikuar atë ministrit të Jashtëm kosovar Enver Hoxhaj. Vendimi u publikua edhe në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme egjiptiane, ku thuhej se:

“Republika Arabe e Egjiptit dëshiron me këtë vendim vendosjen e marrëdhënieve të mira me Republikën e Kosovës në të gjitha fushat dhe në të njëjtën kohë konfirmon angazhimin e saj për vazhdimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve të saj të mira që i lidh gjithmonë me shtetet e rajonit”.

Njohja nga Egjipti ka një rëndësi të veçantë pasi mund të ndikojë në njohjen e mëtejshme të Kosovës së pavarur nga vende të tjera të Lindjes së Mesme.

Top Channel