Ministrja kosovare e Integrimeve Vlora Çitaku ka përshëndetur vendimin e Bashkimit Europian për të hapur bisedimet për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën.

Sipas ministres Çitaku ky vendim i Bashkimin Europian i hap dyert shtetit drejt rrugës europiane. Ajo është zotuar për plotësimin e të gjitha kritereve që duhen përmbushur.

“Përmes marrëveshjes të dyja palët do të bëjnë zotim të ndërsjelltë. Nga njëra anë, vendi ynë do të bëjë zotimin për të ndërmarrë reforma edhe më të thella dhe thelbësore, ndërsa BE do të ofrojë mundësi reale për anëtarësim”, tha Çitaku.

Çitaku ritheksoi se nisja e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit përvec tjerash paraqet siguri për investitorët potencial në Kosovë çka dhe hap vende të reja pune.

Teksa ende nuk dihet sakte se kur do të nisin bisedimet Citaku tha se, në kuadër të historikut të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, negociatat kanë zgjatur mesatarisht 1-3 vite megjithatë ajo shprehu bindjen se Kosova është e gatshme që këtë marëveshje ta negociojmë në një afat të shkurtër kohorë.

“Ne kemi pikëpamjet tona që do t’i shlyejmë përpara, por pres që shumë shpejt KE të kontaktojë me institucionet e Republikës së Kosovës në mënyrë që të kalojmë tek hapat e tjerë”, shtoi Çitaku.

Çeljen e negociatave për MSA-në i ka përshendetuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp ai ka thënë se KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij, duke ofruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë.

Top Channel