Beogradi, entuziast për datën e negociatave

29/06/2013 00:00

Vendimi i krerëve të vendeve anëtare të BE-së që Serbisë t’i hapen
negociatat për anëtarësim në janar të vitit 2014 është mirëpritur me
entuziazëm nga partitë politike dhe opinioni publik serb.

Krerët e partive të ndryshme politike, në pozitë dhe opozitë, reaguan duke deklaruar se Serbia duhet t’i përmbushë detyrimet e veta deri në fund.

Kundër dolën vetëm Partia Demokratike e Vojisllav Koshtunicës, e cila ka organizuar një protestë në Beograd kundër anëtarësimit të Serbisë në BE, si dhe qarqe të ndryshme nacionaliste.

Ndërsa kryeministri Ivica Daçiç deklaroi se, pavarësisht se nisja e negociatave u caktua për në janar, paksa vonë sipas tij, Serbia nuk është e pakënaqur.

“Ne nuk jemi tepër të kënaqur me këtë afat, sepse mendojmë se data mund të caktohet më herët e jo në mbledhjen e dhjetorit, por megjithatë kjo është një ditë historike për Serbinë”, ka deklaruar Daçiç.

Edhe presidenti Tomisllav Nikoliç vlerësoi se vendimi për hapjen e negociatave është një sinjal se në Bashkimin Evropian serbët janë të dëshiruar dhe të barabartë.

“Tani është detyrë e qeverisë që të fokusohet tek ekonomia, bujqësia, zhvillimi i energjitikës, në mënyrë që të shkojmë në perëndim, lindje, veri e jug”, tha Nikoliç.

Ai theksoi se negociatat me BE-në janë një proçes që do të zgjasin, por nga ana tjetër shprehu bindjen se pengesa e vogël që ngre Gjermania nuk do të jetë e përjetshme.

Top Channel