Zgjedhjet, Thaçi uron Ramën e Berishën

28/06/2013 00:00

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka përgëzuar kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha për organizimin dhe mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve të 23 qershorit dhe ka uruar kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama me rastin e fitores së koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane.

Në telegramin dërguar z. Berisha thuhet se “në këto zgjedhje Shqipëria me sukses të plotë kaloi testin e demokracisë, duke i hapur vetes rrugën e sigurt drejt Bashkimit Europian”.

Kryeministri Thaçi ka vlerësuar lartë rolin e Berishës gjatë këtyre viteve. “Ju keni dhënë kontribut të pamohueshëm për fitoren e demokracisë në Shqipëri, keni mbështetur vazhdimisht aspiratat e popullit të Kosovës për liri, pavarësi, sovranitet dhe afirmim të të drejtave të shqiptarëve në rajon. Kontributi juaj do të mbetet historik për integrimin e Shqipërisë në NATO, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe hapjen perspektivës për integrime Euro-Atlantike. Ju do të mbeteni përgjithmonë miku im dhe burrështetas i nderuar i popullit të Kosovës”, thuhet në telegramin e kryeministrit Thaçi.

Ndërkaq, kryeministri Thaçi, në një mesazh tjetër ka uruar edhe liderin e socialistëve të Shqipërisë, Edi Rama, për fitoren e koalicionit të së majtës në zgjedhjet e 23 qershorit.

“Fitorja e koalicionit Tuaj, qetësia, transparenca  dhe pranimi i rezultatit zgjedhor nga partitë politike shqiptare janë tregues të përcaktimit të Shqipërisë për vlera dhe integrime euro-atlantike”, thuhet në mesazhin e Kryeministrit të Kosovës.

Më tej Thaçi shkruan: “Shpreh besimin e plotë që qeveria e drejtuar nga lidershipi Juaj dhe i zotit Meta do ta ruajë dhe garantojë unitetin kombëtar, stabilitetin dhe prosperitetin e Shqipërisë”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që edhe më tej të thellojë bashkëpunimin me  institucionet e Republikës së Shqipërisë, në rrugën e përbashkët europiane, si dy shtete të pavarura”, thuhet në fund të mesazhit të Kryeministrit Thaçi.

Top Channel