SHBA, Tsarnaev akuzohet për 4 vrasje

28/06/2013 04:30

Një juri federale ka rikthyer padinë me 30 akuza ndaj Dzhokhar Tsarnaev, i dyshuari i mbijetuar i shpërthimeve në Maratonën e Bostonit, që e akuzon atë për përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë.

Tsarnaev akuzohet për vrasjen e 4 njerëzve, 3 spektatorë që ndërruan jetë gjatë shpërthimit të 2 bombave dhe një oficer policie i Institutit të Teknologjisë në Massachusetts pak ditë më pas, dhe për “gjymtimin, djegien e plagosjen e dhjetra të tjerëve” tha Prokurori Carmen Ortiz.

“Kam takuar disa prej atyre, që u plagosën më 15 prill, ashtu si dhe anëtarë të familjeve të të ndarëve nga jeta”, tha Ortiz. “Forca e tyre është e jashtëzakonshme, teksa ne do të bëjmë gjithcka mundemi për të vendosur drejtësinë, jo vetëm në emër të tyre, por në emrin e të gjithëve ne”.

Të paktën 264 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i 2 bombave, të cilat ndodhën shumë pranë vijës së “finish”-it të garës.

Juria federale akuzoi Dzhokhar Tsarnaev me “mbajtjen e përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë, që rezultoi në vdekje dhe konspiracion”, “shpërthimin e tyre në një vend publik, që rezultoi në vdekje dhe konspiracion”, “shkatërrimin e pronës private me dashakeqësi, që rezultoi në vdekje dhe konspiracion”, “përdorimin e armëve të zjarrit gjatë dhe në lidhje me një krim të dhunshëm”, “përdorimin e një arme zjarri gjatë dhe në lidhje me një krim të dhunshëm, duke shkaktuar vdekje”, “vjedhjen e një makine, që rezultoi në një dëmtim të përgjakshëm e serioz”, “ndërhyrje të dhunshme me anë të kërcënimeve dhe dhunës” dhe “bashkëpunim e nxitje”.

Top Channel