Partia Demokratike do të nisë menjëherë procesin e ndryshimit të lidershipit të saj. Burime zyrtare nga PD bëjnë të ditur për Top Channel se kryetari në detyrë, Sali Berisha, ka thirrur të premten mbledhjen e kryesisë, nga ku do të njoftohet nisja e procedurave për zgjedhjen e lidershipit të ri.

Këtë lëvizje, zoti Berisha e parashikoi gjatë fjalimit të tërheqjes nga posti i kryetarit të PD-së, kur mori mbi vete të gjithë përgjegjësinë e humbjes. Gjatë të njëjtit fjalim, Sali Berisha nuk la vend për hamendje, se si do të kryhen procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së.

“…dhe në përputhje me statutin e Partisë Demokratike do të qëndroj në timonin e saj për të organizuar zgjedhjen nga anëtarësia e PD-së të lidershipit të ri, të cilin do ta mbështesim të gjithë së bashku dhe të ecim nën udhëheqjen e tij, drejt fitores së betejës më të afërt që na pret. Përpara!”, ishte shprehur Berisha një ditë më parë.

Asnjëherë më parë, në këto 2 dekada, kryetari i Partisë Demokratike nuk është zgjedhur nga anëtarësia dhe kjo risi duket se e ka një shpjegim. Nëpërmjet kësaj forme, Sali Berisha u jep mundësinë e futjes në garë të gjithëve atyre që duan të kandidojnë për kreun e PD-së dhe njëkohësisht u heq atyre mundësinë për hatërmbetje pas vendimit që do të dalë nga anëtarësia.

Këtu vijnë dhe pikëpyetjet më të mëdha. Sa kandidatë do të jenë në garë? Kush do të jenë ata? A do të mbështesë në ndonjë formë, publike apo jopublike, Sali Berisha ndonjërin prej kandidatëve? Këto pyetje do të marrin përgjigje brenda pak ditëve.

Megjithatë, kushdo qofshin kandidatët në garën për kryetarin e Partisë Demokratike dhe vijnë nga brenda kryesisë aktuale, ata hyjnë në garë me një emërues të përbashkët. Secili prej tyre, përvec sekretarit organizativ, Flamur Noka, ka humbur qarkun për të cilin ishte përgjegjës.

Gara për pasuesin e Berishës
Basha: Lajmi i vetëm që dua të komentoj sot është TAP-i

24 orë pas dorëheqjes së kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha,
njëriu më i përfolur si pasardhësi i tij në krye të PD-së, Lulzim Basha,
nuk ka pranuar të komentojë, nëse ai do të jetë kandidat për këtë post,
por është ndalur gjatë te miratimi i projektit TAP, duke nxjerrë në pah
rolin e Berishës në këtë proces.

“…dhe thekson edhe njëherë dimensionin e jashtëzakonshëm të këtij njeriu, që kemi pasur fatin ta kemi si udhëheqësin e Partisë Demokratike, dhe njeriun që shndërroi dhe mundësoi transformimet më të mëdha në Shqipërinë e pas viteve ’90. Dhe nuk ka provë më të mirë se kjo, në ditën e sotme, se sa konfirmimi i linjës së TAP-it, një projekt për të cilin kryeministri Berisha ka lobuar që në fillim të mandatin e parë, nga 2005-2008, kam pasur privilegjin të jem përkrah tij, kur në samitet e rëndësishme ndërkombëtare i dedikonte energji dhe kohë këtij projekti të jashtëzakonshëm dhe për momentin, ky është i vetmi lajm për të cilin do të doja të komentoja”, u shpreh Basha.

Edhe Genc Pollo, kryesuesi i listës së PD-së në qarkun e Beratit, i pyetur nëse ai do të jetë në garë për kreun e PD-së, është shprehur se është ende herët për një gjë të tillë.

“Zoti Berisha ishte njeri, që përballoi edhe në situata të vështira këto 8 vite, përgjegjësitë e veta si kryeministër dhe, përballë një rezultati të caktuar, diti me dinjitet të merrte përgjegjësitë e veta dhe të shpallte dorëheqjen”, tha Pollo.

I pyetur në lidhje me situatën aktuale te PD, në luftën për marrjen e kreut të saj, dhe nëse do jetë ai një nga kandidatët në garë për këtë post, Pollo u përgjigj: “Ky është një proces, që do hapet dhe besoj se lajmet do t’i merrni në kohën e duhur, do të keni kohë të bëni gjueti emrash”.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë në detyrë, Halim Kosova, e ka cilësuar si të papritur largimin e Berishës, por ka shtuar se kjo duhet të shërbejë si një shtysë për t’u forcuar dhe për të përballuar sfidat e ardhshme.

“Kjo është një mundësi mobilizimi për më shumë, në mënyrë që opozita të luajë rolin e vet. Kjo gjë nuk duhet të fillojë 2-3 muajë përpara, por ndoshta që tani, të hënën, dhe në mënyrë intensive të kthejë edhe njëherë besimin në popullatë, se forcat e djathta janë e ardhmja e vendit”, u shpreh Kosova.

Top Channel