Mandela, natë lutjesh pas përmirësimit

28/06/2013 05:00

Afrikano-Jugorët kanë mbajtur gjatë gjithë natës lutje për ish-presidentin e tyre, Nelson Mandela, jashtë ish-shtëpisë së tij në Soweto.

Turma ka kënduar dhe janë lutur për shëndetin e Mandelës, në atë që shënon tashmë natën e 20-të të tij në spital.

Presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut, një ikonë e luftës kundër aparteidit, vuan nga një infeksion në mushkëri.

Presidenti aktual, Jacob Zuma, tha të enjten se gjendja e 94-vjecarit është përmirësuar, por mbetet ende kritike.

“Ai është shumë më mirë sot, se sa ishte dje, kur erdha ta vizitoja”, tha Zuma, pasi kishte folur me ekipin mjekësor të Mandelës. Zuma anuloi një vizitë në Mozambik, vetëm për të shkuar të vizitonte Mandelën në spital.

Ndërkohë, vajza e Mandelës, Makaziwe, tha se ai ishte “ende aty”, duke u përgjigjur ndaj prekjeve. Por, ajo akuzoi disa gazetarë si të ishin korba, në pritje të vdekjes së babait të saj.

Turma njerëzish të emocionuar u mblodhën jashtë spitalit, duke dhënë mesazhe mbështetjeje për Mandelën, i njohur edhe me emrin e klanit të tij, Madiba.

Ndërsa, disa fëmijë lëshuan 94 tullumbacë në ajër, një për secilin vit të jetës së ish-presidentit, në shenjë nderimi ndaj tij.

Top Channel