“Veprimet e një dite më parë të deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës janë të dëmshme dhe si të tilla janë të papranueshme për Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”.
Kështu është shprehur lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, i cili i ka konsideruar veprimet në fjalë si të paarsyeshme, pasi ratifikimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi rrit juridiksionin në veri.
“Shprehim mospajtimin tonë me sjelljet e tyre. Ne si AAK jemi shumë të pakënaqur pasi këto veprime janë të papranueshme për ne”, ka thënë Haradinaj.
“Nuk duhet që një pakicë politike të bëjë veprime të tilla, sidomos për çështjen e marrëveshjes me Serbinë, e cila nuk është kthim prapa por avancim i juridiksionit tonë në veri”, ka vijuar kreu i AAK-së.
Ai është shprehur kundër edhe protestës jashtë mureve të Parlamentit, si dhe menaxhimit të saj nga institucionet e Kosovës.
Deputetët në Kuvendin e Kosovës ratifikuan një ditë më parë marrëveshjen me Serbinë, pavarësisht se në fillim të seancës salla u kthye në një arenë protestash.
Kryeministri Hashim Thaçi paraqiti projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes, duke thënë se ajo është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Por seanca u ndërpre përkohësisht në kohën kur kryepalamentari Krasniqi deshi të niste votimin e amandamenteve të projektligjit. Deputetët e Vetëvendosjes, të cilët bllokuan seancën, i morën nga dora mikrofonin kryeparlamentarit.
Ndërkohë, jashtë selisë së Parlamentit, që prej orës 9 të mëngjesit Vetëvendosje protestoi kundër ratifikimit të marrëveshjes. Protestuesit bllokuan të gjitha hyrjet e Kuvendit të Kosovës, duke penguar deputetët të hynin në ndërtesë. Gjatë përplasjeve me policinë u arrestuan të paktën 68 protestues të Vetëvendosjes si dhe u lënduan 17 policë.
Top Channel