Deri të premten e ardhshme secili anëtar i Partisë Demokratike ka të drejtë të paraqesë një program konkurrues dhe disa letra formale për të marrë pjesë në atë që Sali Berisha e cilëson si garë për liderin e ri të partisë, një proçes që ai beson se do ta ruajë nga përçarja.

“Jo, përkundrazi. Mendoj që Partia Demokratike del shumë e fuqishme sepse sidomos tani, që Partia Demokratike lë historinë dhe ruan trashëgiminë, tani duhet ta kenë me rrënjë të thella liderin dhe të zgjedhë një lider që e mbështesin të gjithë”, deklaroi Berisha në mbledhjen e kryesisë.

Por deri tani dihet me siguri vetëm se kush nuk do të kandidojë për postin e kryetarit të Partisë Demokratike. “Unë kam 16 vjet që jam sekretar i përgjthshëm i PD, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryetarit Sali Berisha. Ka qenë një kënaqësi dhe një fat i madh për mua që kam bashkëpunuar me të në ditë të vështria dhe ditë të mira, kështu që unë do të jem në funksion të konsolidimit të lidershipit të ri të Partisë Demokratike”, ka deklaruar Ridvan Bode.

“Nuk do të kanidoj dhe nuk do të kandidoj, sepse nuk ka qenë kurrë ambicja ime për një gjë të tillë. Kam qenë me fat dhe fatlume që kam bashkëpunuar me Sali Berishën, i cili është arkitekti i Shqipërisë moderne, lideri historik i Shqipërisë demokratike dhe kjo është gjëja që më bën krenare dhe të qëndroj me kokën lart”, ka thënë nga ana tjetër Jozefina Topalli.

Ka edhe nga ata që e kanë pritur me sportivitet procesin e zgjedhjes së lidershipit të ri dhe nuk kursejnë batutat. “Do iki të përpunoj programin tani”, ka thënë duke qeshur Astrit Patozi. Ka dhe nga ata drejtues aktualë që përgjigjen me seriozitet. Flamur Noka ishte i vetmi që drejtoi dhe fitoi në qarkun e ngarkuar dhe tani është vetëm në pritje të emrave të kandidatëve për kryetar, si mbikëqyrës i procesit.

“Unë kam fituar dhe u jam mirënjohës atyre zgjedhësve, banorëve të mrekullueshëm të atij qarku që kanë mbështetur alternativën e Sali Berishes dhe më kanë dhënë besim. Për pasojë, shumë shpejt do të merrni vesh emrat e kandidatëve”, ka thënë Noka.

Por ka dhe nga ata që seriozitetin e përdorin për të mos dhënë një përgjigje nëse do të kandidojnë për kryetarin e Partisë Demorkatike. “Besoj se jeni informuar se nuk është momenti për të diskutuar një temë të tillë. Kryesia është mbledhur. E keni parë live vendimin e kryesisë dhe pas kësaj të gjithë kandidatët potencialë do të kenë mundësi të shprehen. Sot nuk është dita për t’u shprehur për këtë”, ka deklaruar Lulzim Basha.

“Kryesia është marrë vetëm me çështje proçedure dhe se si do të bëhen gjërat. Është shumë herët për të folur për kandidatë. Pesë ditë janë kohë e gjatë”, ka thënë Sokol Olldashi.

Për ata që do të kandidojnë për kreun e Partisë Demokratike ditët do të jenë vërtet të gjata, por timonieri i procesit, siç e ka cilësuar veten Sali Berisha, është i sigurtë për rezultatin final të tij.

“Është një dakortësi e plotë që kandidatët do të pranojnë rezultatin dhe në këtë mënyrë, në një kohë të shkurtër ne do të kemi një lider të ri”, ka deklaruar Berisha pas mbledhjes së kryesisë.

Stina e verës kësaj radhe do të jetë vërtetë e nxehtë për demokratët. “Partia Demokratike nuk ka pushim, ka humbur dhe tani do të punojë shumë”, ka shtuar Berisha.

Top Channel