BE, skemë për punësimin e të rinjve

28/06/2013 15:15

Bashkimi Europian ka vendosur që të investojë gjashtë miliardë euro, në një skemë të trajnimit dhe punësimit të të rinjve, ndërsa papunësia e grupmoshës 18-25 vjeç ka arritur një rekord historik në vendet anëtare.

Gjithashtu, Brukseli miratoi edhe masa shtesë, si subvencionimin e kredive me interesa të ulët me një vlerë të përgjithshme prej 10 miliardë eurosh, për ato biznese të vogla që punësojnë të rinj.

Mesatarisht, një në katër të rinj që kërkojnë një punë nuk janë në gjendje të sigurojnë një të tillë në vendet e Bashkimit Europian, por papunësia arrin deri mbi 50%, në vendet më problematike si Greqia apo Spanja.

Kritikët thonë se skema e miratuar nuk do të ketë ndonjë impakt të ndjeshëm, deri në momentin kur rritja ekonomike do të kthehet në vendet europiane.

Megjithatë, kancelari austriak, Werner Faymann, e konsideroi këtë si një hap të parë pozitiv.

Në zhvillimet e tjera, këtë të premte u formalizua anëtarësimi i Kroacisë dhe nisja e bisedimeve të anëtarësimit me Serbinë deri në muajin janar.

Top Channel