Teksas, dënimi i 500-të me vdekje

27/06/2013 09:25

Shteti amerikan i Teksasit ka ekzekutuar të burgosurin e 500-të që kur futi në fuqi dënimin me vdekje në vitin 1982.

Kimberly McCarthy, 52 vjeç, që ishte dënuar për vrasjen e fqinjës së saj në vitin 1997, mori injeksionin vdekjeprurës mbrëmjen e së mërkurës.

Ajo ishte gjithashtu gruaja e parë që ekzekutohet në Shtetet e Bashkuara në pothuajse tre vjet. Teksasi është një prej 32 shteteve që ka ende në fuqi dënimin me vdekje, por pikërisht ai kryen më shumë ekzekutime nga të gjithë.

Që kur Gjykata Supreme lejoi rikthimin e aplikimit të dënimit kapital në vitin 1976, 40 për qind e të gjitha ekzekutimeve janë kryer në shtetin në fjalë.

Pavarësisht rritjes së kundërshtimeve të dënimit me vdekje në mbarë botën, teksanët e mbështesin atë. Një sondazh i kryer nga Universiteti i Teksasit dhe një organizatë tjetër vitin e kaluar tregonte se 73 për qind e të intervistuarve ishin pro ndëshkimit kapital.

Autoritetet e shtetit deklaruan se ekzekutimi i 500-të nuk përbënte asnjë ndryshim nga të tjerët. “Ne thjesht zbatuam një vendim gjykate”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Drejtësisë Kriminale të Teksasit, Jason Clark për “Associated Press”.

McCarthy, një ish-infermiere që u bë vartëse nga kokaina, sulmoi mësuesen në pension të psikologjisë, Dorothy Booth në shtëpinë e saj në qytetin Lancaster, me një thikë kasapi dhe një shandan qirinjsh.

“Kjo nuk është një humbje. Kjo është një fitore. Ju e dini se ku do të shkoj unë, në shtëpi me Jezu Krishtin. Ju dua të gjithëve”, ishin fjalët e fundit të saj përpara ekzekutimit.

Top Channel