Numri dy i zyrës së Serbisë për Kosovën, Kërstimir Pantiç ka deklaruar se serbët e veriut nuk do të dalin në zgjedhjet e nëntorit, sepse nuk duan t’i japin legjitimitet pavarësisë së Kosovës.

Në një intervistë për gazetën serbe “Veçernje Novosti”, Pantiç ka thënë se asnjë parti nga Serbia nuk mund të ndikojë tek ta që të veprojnë ndryshe.

“Nuk ka parti politike që mund të ndikojë tek qytetarët që ata të ndryshojnë qëndrim. Ndaj do të ishte e padrejtë që bashkësia ndërkombëtare të fajësonte për këtë gjë qeverinë e Serbisë”, ka thënë Pantiç.

Ish-kryetari i komunës paralele të Mitrovicës ka shtuar se bojkoti i zgjedhjeve nuk është gjë e ndaluar dhe ka nënvizuar se nuk ekziston asnjë detyrim ligjor që qytetarët të marrin pjesë në to.

“Askush nga serbët e Kosovës nuk dëshiron që Serbia të mos përparojë apo të mos zhvillohet dhe askush nga këto anë nuk dëshiron konflikt me shtetin e vet”, ka vijuar Pantiç.

“Por, të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se serbët nuk do të dalin në zgjedhjet që mund të zhvillohen më 3 nëntor”, ka porositur ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA