Të gjitha hyrjet që të conin në Kuvend dhe Qeverinë e Kosovës ishin bllokuar që para orës 9 të mengjesit të së enjtës.

Me bllokimin fizik të portave,  aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje përpiqeshin të mos lejonin deputetët të merrnin pjesë në seancën e Kuvendit ku pritej të ratifikohej marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila sipas tyre zhbën shtetin e Kosovës dhe e “bosnjezon” atë.

Pas shumë përplasjeve ndërmjet policisë dhe protestuesve, policia raporton se të paktën 68 aktivistë u prangosen, ndërsa 17 policë u lënduan.

Më shumë se gjashtë orë sa zgjati protesta, aktivistët vazhduan me rezistencën e tyre kundër marrëveshjes duke hedhur ngjyrë, gure mbi policinë.

Madje, aktivistët e VV-së e penguan fizikisht edhe ambasadoren amerikane Tracey Jacobson teksa ajo me ekipin e saj po shkonte në godinën e Kuvendit.

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp Ambasada Amerikane dënoi sulmin duke thënë se, VV dëmton reputacionin e Kosovës me taktika të dhunshme.

Në deklaratën e ambasadës amerikane thuhet se vëzhguesit tjerë dhe deputetë janë sulmuar në të njëjtën mënyrë, gjersa tentonin të hynin në ndërtesë.

Në anën tjetër policia njofton se, insitucionet e sigurisë e kanë për obligim zbatimit të ligjit duke ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike.

Protesta u shpërnda vetëm pas ratifikimit të marrëveshjes brenda në Kuvend.

Top Channel