Kinë, përleshjet me policinë, vriten 27 ujgurë

27/06/2013 18:45

Të paktën 27 ujgurë mbetën të vrarë në Kinë ditën e enjte, në përleshjet midis manifestuesve dhe policisë.

Manifestimi u kthye në një përleshje masive, në të cilën autoritetet ndërhynë duke qëlluar me armë zjarri.

Tensionet në krahinën perëndimore të Xinjiangut, ku është përqendruar pakica problematike e ujgurëve, prej kohësh janë shndërruar në një problem për autoritetet kineze.

Ujgurët, një pakicë etnike muslimane me origjinë turke, prej disa vitesh janë bërë protagonistë të manifestimeve të dhunshme, ndërsa vendimi i Pekinit për të rritur prezencën e kinezëve etnikë në krahinë në mënyrë të vazhdueshme ka ngjallur pakënaqësira të shumta.

Aktualisht, forca të shumta policore kanë rrethuar kryeqytetin krahinor, Urumqi.

Mediat ujgure në diasporë, nga ana e tyre kanë hedhur hije të forta dyshimi mbi reportimin zyrtar, në të cilin shkruhet se autoritetet qëlluan ndaj turmës, pasi ajo sulmoi komisariatet e policisë.

Situata mbetet e paqartë, pasi korrespondentët e rrjeteve ndërkombëtare e kanë të ndaluar të zhvendosen në këtë zonë.

Top Channel