Kinë, lirohet pronari amerikan

27/06/2013 10:15

Biznesmeni amerikan Chip Starnes është liruar pasi është mbajtur peng nga punëtorët në fabrikën e tij në Kinë për rreth një javë, pas një perplasjeje me ta.

Zoti Starnes dhe zyrtari i një sindikate deklaruan se gjatë natës është arritur një marrëveshje. Shtetasi amerikan, bashkëpronar i një kompanie mjekësore, deklaroi se punëtorët e kishin bllokuar atë pasi i kishin kërkuar pagesë për pushimin nga puna.

Gjithësesi, punëtorët thanë se përplasja ishte në lidhje me pagesa të prapambetura dhe se disa prej tyre nuk paguheshin prej dy muajsh. Në vitet e fundit në Kinë janë verifikuar përplasje të shumta mes pronarëve të fabrikave të ndryshme dhe punëtorëve, të cilët nuk kanë shumë mbështetje.

Incidenti në fabrikën në Huairou, në Pekin, nisi ditën e hënë. Zoti Starnes tregoi se punëtorët bllokuan të gjitha daljet dhe se kur ai përpiqej të flinte ata bënin zhurmë duke goditur dyert dhe dritaret e ndërtesës. “Eksperienca ishte poshtëruese dhe e turpshme”, tha ai.

Punëtorët kërkonin shlyerjen e pagave për pushim nga puna, edhe pse jo të gjithë ishin pezulluar. Ata insistonin se nuk paguheshin prej dy muajsh, gjë të cilën pronari amerikan e mohon.

Punëtorët druheshin se fabrika po mbyllej dhe se stafi i mbetur do të lihej pa marrë pagën, sqaroi një zyrtar lokal në një intervistë. Policia nuk ndërhyri, duke deklaruar se bëhej fjalë për një çështje civile mes dy palëve, të cilat duhet ta zgjidhnin vetë, raporton korrespondenti i BBC në Kinë. 

Top Channel