“Baguette” nuk është më buka e përditshme e francezëve. Në 10 vitet e fundit kanë rënë ndjeshëm shitjet e bukës-simbol të Parisit dhe Francës, e cila është zëvendësuar nga drithërat dhe makaronat.
Tani, produktin në fjalë e konsumon vetëm 50 për qind e popullsisë, shumica e të cilëve janë njerëz të moshuar që nuk heqin dorë kollaj nga tradita.
Sipas Observatorit të Ushqimit, në fillim të vitit 1900 konsumoheshin përditë 900 gramë bukë për person, ndërsa në vitin 2003 kuota në fjalë ra në 143 gramë, në 2010-ën në 129 gramë, e barabartë me një gjysmë baguette.
Një studim i fundit tregon se të rinjtë e moshave nga 20 në 24 vjeç konsumojnë 46 për qind bukë më pak se personat mbi moshën 65 vjeç. Edhe shitësit ankohen për krizën:
“Klientët sa vijnë e pakësohen. Përpara dyqanit tim të dielën në mëngjes nuk janë më radhët e gjata të dikurshme”, tregon Jasmine, që prej 15 vjetësh menaxhon një “boulangerie” në Paris.
Për të frenuar këtë tendencë, Observatori ka ndërmarrë një fushatë, me postera të vendosur nëpër metro dhe në rrugët e qyteteve kryesore, me titullin: “Ej, e ke blerë bukën?”.
Top Channel