Qeveria e Egjiptit ka marrë vendimin për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, njofton Ministria e Jashtme kosovare.

Vendimi zyrtar i njohjes së Kosovës nga Kajro zyrtar i është komunikuar ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj nga homologu i tij egjiptian, Mohamed Kamel.

Ai është publikuar edhe në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme egjiptjane. Në deklaratë theksohet se:

“Republika Arabe e Egjiptit dëshiron me këtë vendim vendosjen e marrëdhënieve të mira me Republikën e Kosovës në të gjitha fushat dhe në të njëjtën kohë konfirmon angazhimin e saj për vazhdimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve të saj të mira që i lidh gjithmonë me shtetet e rajonit”.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe autoritete të tjera të larta të shtetit kanë zhvilluar aktivitete të shumta lobuese në Egjipt, si rezultat i të cilës dy shtetet kanë konsoliduar raporte shumë të mira për më shumë se dy vjet.

Njohja nga Egjipti ka një rëndësi të veçantë pasi mund të ndikojë në njohjen e mëtejshme të Kosovës së pavarur nga vende të tjera të rajonit të Lindjes së Mesme.

Top Channel