BE, 920 mld euro për 7 vite

27/06/2013 00:00

Udhëheqësit e Bashkimit Europian sheshuan mosmarrëveshjet dhe ranë dakort për buxhetin në 7 vitet e ardhshme.

Marrëveshja për buxhetin 2014-2020 është arritur mes Parlamentit Europian dhe qeverive të 27 vendeve anëtare. Sipas kësaj marrëveshje, Bashkimi Europian parashikon 920 miliard euro për 7 vitet e ardhshme.

Për herë të parë që nga krijimi, BE bie dakort të shkurtojë shpenzimet në disa sektorë. Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso në përfundim të samitit në Bruksel deklaroi se plani synon përshpejtimin e reformave për punësimin e të rinjve.

Një në katër të rinj në BE është aktualisht i papunë, ndërsa në vendet e prekura më fort nga kriza, si Greqia dhe Spanja situata është akoma me dramatike, ku thuajse gjysma e të rinjve nuk mund të gjejnë dot punë.

Udhëheqësit e BE-së dhe vendet anëtare po konsiderojnë mundësinë e shpenzimit të 6 miliard eurove më herët nga sa kishin planifikuar për të ndihmuar në krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë nga 18 deri në 25 vjeç.

Mes pikave ku liderët e BE-së ranë dakort ishte edhe ajo e reformës në agrikulturë dhe mekanizmi i shpëtimit të bankave.

Marrëveshja për buxhetin 2014-2020 ishte arritur që në muajin shkurt, por ajo ishte bllokuar nga Parlamenti Europian që vendosi si kusht që paratë që tepronin në përfundim të një viti buxhetor të kalonin automatikisht për tek viti tjetër buxhetor dhe jo t’u ktheheshin qeverive të vendeve anëtare.

Kreu i Parlamentit Europian, Martin Schulz konfirmoi marrëveshjen në një postim në rrjetin social Twitter dhe u bëri thirrje euro-deputëteve që ta mbështesin atë. PE pritet të votojë për buxhetin javën e ardhshme dhe gjasat janë që ky votim të mos hasë pengesa.

BE, plan për shpëtimin e bankave

Ministrat e Financave të Bashkimit Europian kanë rënë dakord mbi një plan se si të shpëtojnë bankat e trazuara, pa lënë taksapaguesit të përballojnë faturën.

Marrëveshja u arrit në orët e para të mëngjesit të së enjtes, pas një tjetër sesioni bisedimesh të gjata mes 27 vendeve anëtare të BE-së.

Kjo shihet si një hap i rëndësishëm përpara drejt synimit të BE-së për t’i futur bankat e saj në një terren të qetë, pas krizave shokuese të kreditimit dhe të Eurozonës.

Rregullat përcaktojnë se kush do t’i mbajë humbjet, kur një bankë përfshihet në probleme. Në të ardhmen, taksapaguesit do të jenë të fundit që do t’u faturohen humbjet, teksa bankat dhe kreditorët apo aksionerët e tyre do të goditen të parët. Pas kësaj, kursimtarët e zakonshëm me depozita mbi 100 mijë euro do të jenë përsonat e tjerë që do të përballojnë humbjet. Nëse kjo nuk rezulton e mjaftueshme, qeveritë kombëtare do të thirren për t’i ofruar mbështetje.

Top Channel