Serbët e pjesës veriore të Mitrovicës kanë larguar të mërkurën nga magjistralja Mitrovicë-Zveçan barrikadat e vendosura në këtë rrugë që prej përshkallëzimit të krizës në këtë pjesë të Kosovës, në korrik të vitit 2011.

Barrikadat ishin të vendosura në disa lokacione përgjatë magjistralës, nga dalja e Mitrovicës e deri në Zveçan, kurse punëtorët janë parë duke pastruar dhe punuar në riparimin e pjesëve të dëmtuara të rrugës.

Vendimi për largimin e këtyre pengesave e kanë komentuar përfaqësuesit e komunës paralele të Mitrovicës, kryetari i të cilës, Dragisha Vllaskoviç tha se arsyeja e zhbërjes së tyre ishte se rrezikon trafikun dhe se janë bërë jofunksionale.

Sipas raportimeve të “REL”, në Mitrovicë kanë mbetur vetëm edhe dy barrikada, një prej të cilave është e betonuar mbi urën kryesore të qytetit. Ndërsa barrikada e dytë është e vendosur në rrugën që çon në pjesë lindore të qytetit, në Lagjen e Boshnjakëve.

Serbët në veri të Kosovës nisën vendosjen e barrikadave në rrugë pas operacionit policor të forcave speciale të Kosovës për marrjen nën kontroll të kufijve veriorë në Bërnjak dhe Jarinje, gjatë të cilit u vra efektivi Enver Zymberi.

Top Channel